Termetet, Lugina e Pollogut bie në burimet sizmike të rendit të dytë

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 15 Mars, 2021 08:24

Termetet, Lugina e Pollogut bie në burimet sizmike të rendit të dytë

Ditëve të fundit janë regjistruar termete në rajonin e gjerë të Gostivarit. Rastet e tilla të tërmeteve janë dukuri e shpeshtë në rajonin e Pollogut, njofton LOBI.MK

Tanimë disa ditë rajoni i Gostivarit nuk po qetësohet. Një sërë tërmetesh me qendër në Mavrovë janë regjistruar në dy ditët e fundit, autoritetet lokale i kanë paralajmëruar banorët dhe qytetarët që për vikend kanë qëndruar të mos e përdorin ujin për pije.

Ekspertët thonë se në aspektin gjeomorfologjik, Lugina e Pollogut kualifikohet si kreshtë tektonike e rrethuar me ah në të katërta anët.

“Si e tillë, me gjasë është krijuar në mesin e pliocentit dhe është aktive në aspektin sizmik deri në nivelin e nëntë. Se terreni në Luginën e Pollogut akoma nuk është konsoliduar, është përdëftuar me tërmetet e shfaqura deri më tani të ndodhura në vitet 1959, 1963 dhe 1967 në Fushën e Shkupit, Dibër dhe Luginën e Pollogut”, thotë profesori i gjeografisë Hamit Haziri.

Sipas vlerësimit të tij, Lugina e Pollogut bie në burimet sizmike të rendit të dytë në të cilat janë viset ku kanë ndodhur dridhje magnitudë (M = 4,5 deri -5,7), gjegjësisht priten tërmete me magnitudë maksimale M = 5,5 deri 6,0 shkallë. Haziri saktëson se rajoni nuk është goditur drejtpërdrejt nga tërmeti, përveç dëmeve të shkaktuara të pakonsiderueshme, si rezultat i tërmetit shkatërrues të Shkupit në vitin 1963 dhe dëmet e shkaktuara popullatës së Rekës së Epërme si rezultat i tërmetit që goditi Dibrën në vitin 1967, percjell Lobi

Me hartën e përgatitur sizmike të Maqedonisë, Gostivar dhe Tetova  renditen  ndër komunat me shkallën më të lartë sizmike të nivelit të katërt.

“Imponohet nevoja për zbatimin e vazhdueshëm të masave të nevojshme. Mund të thuhet se territori i Pollogut kryesisht është në një aktivitet të lartë sizmik, sepse viteve të fundit janë ndërtuar dhe ndërtohen një numër i madh i ndërtesave pa zbatim të denjë të dispozitave ligjore dhe rregullativës teknike”, sqaron Haziri.

Pikërisht ndërtimet e dekadave të fundit, nxisin pyetjen se sa janë të sigurta objektet e larta kolektive. Dy dekadat e fundit në rajonin e Pollogut janë kryer ndërtime të shumta të objekteve shumëkatëshe.

Por sa investitorët kanë respektuar rregullat në aspektin e sigurimit sizmik të objekteve, mbetet një çështje e hapur. LOBI

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 15 Mars, 2021 08:24