Societas Civilis: 2/3 e të anketuarve e mbështesin punën online të deputetëve

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 2 Prill, 2021 13:45

Societas Civilis: 2/3 e të anketuarve e mbështesin punën online të deputetëve

53% e qytetarëve nuk janë të kënaqur me masat qeveritare për përballje me pandeminë COVID-19, tregon anketa e Institutit për demokraci “Societas Civilis”. Sipas sondazhit, vetëm 50% e qytetarëve duan të vaksinohen.

Vetëm 50% e qytetarëve do të vaksinoheshin nëse do të kishte vaksina nesër. 16% e qytetarëve ende hamenden, ndërsa 34% nuk duan të vaksinohen. Kjo e dhënë nuk jep shumë shpresë se do të ketë imunizim të qytetarëve këtë ose vitin tjetër, përderisa qytetarët nuk kanë vullnet. Ata që u përgjigjën se duan të vaksinohen, i pyetëm vaksinë do ta dëshironin. Më shumë e preferojnë vaksinën Fajzer, Sputnik, ndërsa më pak të preferuara janë Sinofarm, Moderna dhe Astra Zeneka -tha Vlora Reçica, Instituti për demokraci “Societas Civilis”.

74% e të anketuarve mendojnë se krizat, përfshirë edhe pandeminë, duhet zgjidhur në Kuvend, në mënyrë transparente e jo në takime liderësh. 2/3 e të anketuarve e mbështesin punën online të deputetëve, ndërsa për 25% të tjerë mënyra e punës së Kuvendit nuk duhet të ndryshohet shkaku i pandemisë. 65% e të anketuarve nuk preferojnë bojkotin si mënyrë për të shprehur qëndrime politike.

Shumica e të anketuarve (65%) vlerësojnë se deputetët nuk janë të gatshëm të miratojnë ligje në emër të qytetarëve. 76% pajtohen se deputetët i përfaqësojnë interesat e liderëve partiak. 54% e të anketuarve janë të pakënaqur nga cilësia e ligjeve dhe 55% besojnë se ligjet ndryshohen shumë shpesh, gjë që krijon pasiguri juridike. Sipas të anketuarve, në vend se Kuvendi ta kontrollojë Qeverinë, Qeveria ka kontroll mbi Kuvendin.

73% e të anketuarve vlerësojnë se Kuvendi luan rol të rëndësishëm në demokracinë e vendit, megjithatë kryesisht nuk janë të informuar për atë që punohet në ligjvënës. Informatat kryesisht i marrin përmes televizioneve (41%), ndërsa më së paku përmes kanalit apo faqes së internetit të Kuvendit.

Në anketën e realizuar në shkurt dhe mars punën e institucionit ligjvënës, qytetarët e vlerësojnë me notë të ulët, 2,6. 51% e qytetarëve vlerësojnë se jeta po merr drejtim të gabuar, ndërsa më së paku besim qytetarët kanë tek gjyqësia, të cilën e vlerësojnë me notë 3,1.

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 2 Prill, 2021 13:45