Rugova, “mitizimi” dhe “ç’mitizimi” si keqpërdorim!

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 9 Mars, 2021 21:20

Rugova, “mitizimi” dhe “ç’mitizimi” si keqpërdorim!

Presidenti Rugova nuk është “mitizuar” asnjëherë që të ketë nevojë për ta “ç‘mitizuar”. Është e kundërta. Ende, asnjëherë nuk është vlerësuar politika dhe puna e më shumë se një dekade e  rezistencës dhe luftës së shqiptarëve, brenda e jashtë Kosovës, në shumëdimensionalitetin e shprehjes së saj, përfshirë këtu edhe gabimet që e kanë përcjellë këtë proces të gjatë, ndër më të rëndësishmit në historinë më tepër se njëqindvjeçare të Kosovës dhe shqiptarëve e cila simbolizohet me emrin dhe veprën e Presidentit Rugova.

“Mitizimi” i Rugovës, në fakt, ka lindë si “nevojë” e gjithë atyre që janë fshehur e fshihen edhe sot prapa emrit të tij, duke mos pasë asnjë kontribut të vetin ose duke pasur kontribute të gabuara (ata që ishin në anën e kundërt të historisë sonë kombëtare!). Këta, shkurt quhen keqpërdorues të emrit dhe veprës së Presidentit Rugova. E kanë bërë dhe e bëjnë këtë për nevoja e interesa të tyre meskine, politike e financiare, për karrierë e pasurim personal. Të tillë ka pasur e ka me bollëk kudo në LDK por edhe jashtë saj. Keqpërdorin emrin e Presidentit Rugova e thirren në emër të tij, ata që kurrë nuk e kanë njohur as si njeri, si qenie njerëzore e lëre më si politikë, ata që nuk dinë as ABC-në e politikës rugoviane, e përdorin dhe e keqpërdorin emrin e Rugovës kundërshtarët e tij deri në urrejtje patologjike, jashtë e brenda LDK-së dhe kundërshtarët e proceseve politike që ai udhëhoqi.

Përpjekje për ta relativizuar dhe për ta “zhbërë” periudhën politike që lidhet me Presidentin Rugova dhe me atë vetë, ka pasur vazhdimisht. Në veçanti janë shtuar nga paslufta, kryesisht nga e majta ekstreme marksiste-leniniste, por edhe nga të tjerë në tentimin e tyre për ta ndryshuar historinë. 

Ndërsa, analistë të sotëm, politikanë, filozofë, historianë etj. ngriten ku ta dish për ç‘farë arsye, ta “ç‘mitizojnë” Rugovën, poashtu deri në “zhbërje”, “ta bëjnë” atë njeri e jo “mit”, pak “më njerëzor”, më pak “mitik”! E bëjnë nga dashuria për të e për Kosovën, sigurisht, por edhe kjo mund të quhet njësoj keqpërdorim, po aq i dëmshëm e i rrezikshëm sa edhe i pari, kur bëhet me hile.

Kjo tendencë për të “ç‘mitizuar” Presidentin Rugova po shëndërrohet në tendencë për ta reduktuar e redaktuar rolin e tij kombëtar, politik e historik.

Së fundmi, më i shquari në këtë drejtim del të jetë njëri nga themeluesit e LDK-së, i pari i nënshkruar në listën e themeluesve, z. Jusuf Buxhovi, ndër të rrallët dokumentues të fillimeve të LDK-së, edhe për faktin se ishte sekretar i saj për aq sa ishte aty. Z. Buxhovi, në emër të “ç‘mitizimit”, me deklaratat e tij kontestuese shkaktoi jo pak konfuzion në opinion për rolin e Presidentit Rugova në disa aspekte, duke filluar nga vetë themelimi i LDK-së, nga roli i tij në politikën e Kosovës në realizimin e synimeve të shqiptarëve për liri e shtet të pavarur, nga “rugovizmi” si doktrinë e deri te partneriteti ndërkombëtar. “Argumenti” që ai hodhi këto ditë rreth themelimit të LDK-së dhe themeluesve, duket të jetë “me bisht”, një si mënyrë interpretimi që nuk dallon shumë nga ato të tipit të slloganeve populiste, aq shumë “në modë”, aktualisht. Në mënyrë “triumfale” ai deklaroi se “Rugova nuk e ka themeluar LDK-në”!

Është e ditur se asnjë parti politike, asnjë organizim politik nuk themelohet nga një individ i vetëm. Teknikisht, në këtë kuptim, pra as Ibrahim Rugova nuk e ka themeluar LDK-në, por është themelues i saj, njëri ndër të parët nga grupi inicues e themelues i LDK-së. Nga deklarata e z. Buxhovi-t fitohet përshtypja se Ibrahim Rugova u “katapultua” në LDK, ashtu siç sot katapultohen drejtues e edhe kryetarë të LDK-së. Buxhovi si edhe të gjithë pjesëmarrësit e autorët e atyre ngjarjeve të bujshme të kohës, e dinë se personaliteti, qëndrimet dhe deklaratat e guximshme të nivelit të lartë intelektual e kombëtar të Ibrahim Rugovës në atë kohë, ishin me ndikim krucial si në themelimin e LDK-së ashtu edhe në vënien/zgjedhjen e tij në krye të saj. Mbase ka të tillë që mund të besojnë se edhe Papa nuk është katolik, por këtë mund ta thotë ndonjë kardinal i zemëruar që nuk arriti të bëhet Papë ose abstenoi a dezertoi nga besimi i tij.

Sigurisht se ka plot njerëz të politikës në LDK, të cilët e kanë kompleksin e themeluesve të saj. Thirren si themelues edhe pse nuk janë të tillë, se nuk ishin aty kur u themelua LDK-ja, për arsye nga më të ndryshmet. Por me po aq komplekse duket të jenë edhe disa nga themeluesit e vërtetë, të cilët pas një, dy apo e shumta pas tri viteve, nuk u panë më në LDK. Ikën një nga një! Ndonjëri për arsye personale a “ideologjike”, ndonjë sepse nuk e duroi vendosmërinë e Rugovës, ndonjë tjetër sepse u bë “ambasador” dikund, apo arsye tjera të qena a të paqena. Ibrahim Rugovën e lanë “vetëm” në kohët më të rënda të përballjes me okupatorin serb, në ndërtimin e shtetit të pavarur dhe në përballje me të majtën, të cilët donin të rrënonin që në nismë konceptin e orientimit politik kombëtar me vlera perëndimore demokratike.

T’i faturohet dhe “atribuohet” Ibrahim Rugovës si “meritë” dhe arsye që e bëjnë atë personalitet historik, vetëm të qenët kryetar i LDK-së dhe kryetar i Kosovës, 1992, 1998, dhe 2001-2004 (është harruar rastësisht edhe 2004-2006!), nuk don koment. Mbetet veç edhe të thuhet se ishte  Adnan Merovci ai që e bënte politikën e Kosovës e jo Ibrahim Rugova!

Rugovizëm, ka apo nuk ka?! Natyrisht kur kontestohet qenia themeltare ose kur ajo interpretohet sipas kërkesave apo interesave të kohës aktuale a të dikujt, gjë që nuk ka lënë anash entuziazmit e joshjes as “intelektualë” të zottë, si paska atëherë “rugovizëm”?!. Doktrina e ndërtimit të shtetit të pavarur në rrethana okupimi, programet e orientimet politike të shkruara e të deklaruara, e mbi të gjitha veprimi politik në realizimin e interesave kombëtare të shqiptarëve të Kosovës deri në bërjen e shtetit të pavarur të njohur ndërkombëtarisht, si vizion, projekt e filozofi rugoviane, nëse këto nuk janë rugovizëm, atëherë është mirë të thuhet çka janë?! Rugovizëm konjuktural të ndërtuar mbi bazë të doktrinës tipike komuniste të shpalosur nga diktatorët e diktaturat e djeshme e të sotme, të përcjella me një dyzinë librash ideologjik, të tillë rugovizëm nuk ka. Rugova nuk shkruajti libra për ideologji as libra ideologjik. Bota perëndimore njeh doktrina politike pa domosdonë e librave politik e ideologjik. Doktrina “Thacher”, p.sh. asnjëherë nuk u kontestua as nuk u relativizua sepse ajo nuk shkroi libra për konceptin dhe vizionin e saj politik për Britaninë e Madhe. Ajo, si Kryeministre e Britanisë së Madhe kishte një program politik por “theçërizmi” edhe sot mbetet një nga doktrinat më të fuqishme në historinë politike të botës moderne dhe jo vetëm.

Rugova siç dihet gjerësisht është personaliteti që më së tepërmi çmohet pikërisht për faktin sepse vuri bazat dhe ndërtoi partneritet të fuqishëm të Kosovës dhe shqiptarëve me botën perëndimore, në veçanti me SHBA-të dhe vendet evropiane perëndimore. Pse erdhi deri te faktorizimi i Hashim Thaçit nga Konferenca e Rambuje-së, poashtu është e njohur, por të përjashtohet Presidenti Rugova si partner i faktorit ndërkombëtar, edhe kjo nuk don koment.

Pse një personalitet i respektuar si Jusuf Buxhovi, themelues i LDK-së e historian, për mendimin tim ndër më të çmuarit dhe mik i imi, me tendencën për të “ç‘mitizuar” Presidentin Rugova rrëshqet në interpretime të tilla, është krejt e pakuptimtë. Apo ndoshta edhe ka ndonjë kuptim!

Ibrahim Rugova, as nuk rritet as nuk zvogëlohet nga keqpërdoruesit e emrit e punës së tij, as nga “mitizuesit” as nga “ç“mitizuesit”!

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 9 Mars, 2021 21:20