RMV, java e shifrave rekord të pandemisë

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 14 Mars, 2021 22:25

RMV, java e shifrave rekord të pandemisë

Maqedonia e Veriut, javën që po lëmë pas, sipas të dhënave të MSH-së, shënoi shifra rekorde me infektime të reja dhe rasteve që kanë përfunduar me fatalitet. Sipas njoftimeve të autoriteteve të shëndetësisë, nga e hëna deri të shtunën, regjistrohen 4.947 raste të reja me Covid-19 dhe 105 viktima.

Nga e mërkura 10 Mars, në Maqedoninë e Veriut, në fuqi është kufizimi i lëvizjes që fillon nga ora 22:00. Pas orës policore shifrat ditore fillojnë të shënojnë rritje. Kështu, të enjten shënohen 947 raste, të premten 868 kurse gjatë së shtunës numër katërshifror, 1 031 raste.

Për shkak të rritjes së infektimeve të reja, Shtabi Komunal i Krizës në qytetin Kriva Pallankë ka kërkuar që ora policore të fillojë në ora 19:00 e jo në 22:00. Nga ky qytet i kanë bërë thirrje MPB-së dhe Inspektorateve që të kryejnë sa më shumë kontrolle tek personat e izoluar por edhe tek lokalet që nuk i respektojnë rekomandimet e autoriteteve të shëndetësisë.

Nëse para një jave, numri i pacientëve të shtruar nëpër covid-qendrat e vendit ishte 860, gjatë së dielës, sipas raportit zyrtar të MSH-së, numri i tyre shkoi në 1 025, kurse raportohet për rreth 350 shtretër të lirë.

Numri i rasteve aktive i afrohet shifrës prej 12 000. Shkupi me mbi 5 500 raste aktive, Prilepi me 854, Kavadari me 649, Ohri me 496, Kumanova dhe 432 dhe Tetova me 367 raste aktive janë qytetet që i prijnë listës me më shumë raste aktive në nivel vendi.

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 14 Mars, 2021 22:25