Reshat Ameti emërohet anëtar nderi i Kolegjit “Iliria”

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 21 Maj, 2021 12:11

Reshat Ameti emërohet anëtar nderi i Kolegjit “Iliria”

Profesori univesritar dhe piktori i njohur nga Gostivari, Reshat Ameti, zgjidhet anëtar nderi i bordit të Kolegjit “Iliria”. Njoftimi është bërë nga vet kolegji në fjalë.

“Kemi nderin që për mirënjohjen më të lartë ANËTAR NDERI TË BORDIT TË KOLEGJIT ILIRIA për sukseset shumëvjeçare në fushën e artit, veprimtarisë pedagogjike dhe bashkëpunimit ndërkombëtar ta propozojmë artistin e shquar, Reshat Ameti, për veprimtarinë e tij të frytshme artistike që nga viti 1985 e deri më sot dhe për bashkëpunimin që ka me universitetin tonë prestigjioz”, thute në njoftim.

Kolegji në vendimin e tij jep detaje pse ka vendosur pikërisht z. Ameti ka zgjedh anëtar nderi.

“Reshat Ameti dhe veprimtaria e tij dëshmojnë për një qasje liberale dhe me shpirt të lirë në sjelljen dhe punën e tij krijuese që ka pasur, por edhe duke i bërë ballë me krenari periudhës së tranzicionit, kësaj periudhe të pjekurisë së shoqërisë multikulturore. Vetë R. Ameti, falë qëndrimit të tij human, por edhe falë talentit dhe prirjes së tij artistike, ia doli t’i mposhtë me sukses barrierat e kohës, të konfrontohet me parimet dhe normat e së zakonshmes dhe të ngjitet pikërisht aty ku krejt natyrshëm e ka vendin si përfaqësues i denjë i artit modern”, thonë nga Kolegji “Iliria”.

U diplomua në Fakultetin e Arteve të Bukura në Shkup më 1989, në klasën e Ana Temkovës, kurse punimin e diplomës e ka mbrojtur para Risto Kaljevskit, i cili ka bërë njëherit dhe filtrin e parë artistik të Ametit, me fjalë të tjera ia zgjoi interesin për format gjeometrike, për fakturën dhe teksturën, për magjinë e bardhësisë. Ameti e ka vazhduar dhe e ka përfunduar shkollimin e vet në Fakultetin e Arteve të Bukura në Prishtinë (te prof. Rexhep Feri), ndërkaq shprehja e tij artistike u rafinua falë udhëtimeve, njohjeve, bisedave dhe takimeve të shumta. Pikërisht cilësimi “raffinement” është ajo që Reshat Ahmetin e veçon nga piktorët e tjerë shqiptarë në Maqedoni, që ishin pararendës ose që kanë krijuar krahas tij, d.m.th një veprimtari artistike që ana estetike e bën të kapshme për gjithsecilin.

“Po të ndjekësh krijimtarinë e Reshat Ahmetit, do të shohësh se forma dhe shpërfaqja mbajnë kryet e vendit në zgjidhjet artistike të problemit, kurse ngjyra me konstelacione nuancash (tonike) është nxjerrë në plan të dytë dhe vetëm i jep dorë formalitetit të kompozicionit. Në veprat e tij ndihet abstraksioni i shkallëshkallshëm i figuracionit dhe prirja drejt një abstrakteje, gjemetrikeje të butë, e cila me kalimin e kohës do të rritet në një gjeometri të pastër, kurse më pastaj në një gjeometri lirike. S’do mend, teksturalja shënon një nga aspektet më të rëndësishme, që do të thotë fakturalja, e cila mban rolin kryesor në krijimtarinë figurative të R. Ahmetit, në një periudhë/fazë të caktuar, por edhe në ditët e sotme, paraqet burimin e mirëfilltë të shprehjes në artin e tij figurativ. Për ta arritur këtë dallgëzim të sipërfaqes, këtë metafizikë, kontemplacion, tensionim, R. Ameti përdor materiale të llojllojshme (letër, karton, tekstil, lëndë natyrore, përzierje materialesh plastike etj.), të cilat pulsojnë dhe duke pulsuar mbartin energji për një gjendje emotive të caktuar nga njëra anë, kurse nga ana tjetër roli i tyre vizual është me rëndësi vendimtare”, thuhet më tej në njoftim.

Duke analiziuar më tej detajet mbi përzgjedhjen, thuhet se: “Në pikëpamje filozofike-sociologjike veprat artistike të R. Ametit arrijnë ta prekin çështjen e jetës moderne, të shtendosjes urbane, të tjetërsimit ndërnjerëzor, të komunikimeve dhe lidhjeve të humbura. Procedimi në pikturimin e tij është i filtruar dhe i pasuruar artistikisht me një dritësim magjik, që R. Ameti e shpreh me mjeshtëri dhe e ndërthur brenda tërësisë, kurse ajo paraqet shpresën, rrezen, aurën, besimin, gurrën, alegorinë e të tjera të ngjashme”.

Gjithë atë tejngopje nga angazhimi shoqëror-urban i menduar mirë Reshat Ameti e shkarkon nëpërmjet kredhjes në traditë, thuhet më tej nga Kolegji në fjalë dhe shtojnë se “në histori, te popullorja e në folklor, duke marrë së andejmi energjinë burimore, primordiale, nga laritë, trajtat, detajet asociative, duke prekur e duke ndërtuar kështu paraformën e ciklit “Nga tradita””.

“Etnodekoret më shpesh kanë vetvetiu domethënie simbolike-asociative, të cilën R. Ameti e shfrytëzon vetëm si një aspekt estetik shtesë… Te këto vepra ngjyra shpërthen, ajo ka përparësinë në sensacionin vizual dhe, falë intensitetit, karakterit të fytyruar, fuqisë dhe simbolikës që ka theksohen aspektet etnospecifike dhe ato të traditës, përkatësisë, (vetë)identifikimit. Prej abstraksioneve enformele, lirike dhe atyre të pezulluara materialisht shpërthejnë pjesë të plota, të ndara ose fragmente të copëtuara përparësesh, dorezash, stolish, veshje të sipërme grash, pastaj qilima e cerga të këtyre anëve me semantikën e tyre simbolike dekoruese-arkaike (kryqi i thyer, zigzagët, trekëndëshat si dhe shumë lari e stoli të tjera zbukuruese-tunduese). Kombinimet mbizotëruese të koloritit zi-kuq, të plotësuara me “kubëza” të tjerë të larmë, kompozohet shkëlqyeshëm në pëlhurën e bardhë.1 Këto motive të vërejtshme ose të pavërejtshme mbi bazën e estetikës së vjetër krijojnë një estetikë të re, tjetërfare, që më shumë bie në sy, me fjalë të tjera, një estetikë moderne”.

Sipas vlerësimit që bëhet, Kolegji nënvizon se “Duhet të theksohet patjetër se R. Ameti di me shumë sukses të manovrojë me pëlhurën e bardhë, por edhe me sipërfaqet e rrafshëta, të ngjyrosura pastër, ndërsa kjo paraqet një nga detyrat më të vështira në artin figurativ, sidomos në rastin konkret kur kemi pjesë të ngopura e të shkarkuara të pëlhurës. Sipërfaqet e zbrazëta-të pastruara kanë karakteristika të hapësirës, ajrit, të frymëmarrjes së thellë në mënyrë që të përjetohet në thelb e tërë ajo që ngjet në pjesën tjetër të pikturës, të bashkëjetojë me kontaktin e së shkuarës me të tashmen, të vështruara nga prizmi i Reshat Ametit”.

Në veprat e tij artistike R. Ameti, sipas vlerësimit, vendos urën midis të vetëdijshmes dhe të pavetëdijshmes, midis lëndores dhe jolëndores, ndërsa këtë e arrin nëpërmjet vijës së gjallë arabeske-gjestuale që në mënyrë dinamike “formëson” tërësi (trupa dy- e trepërmasorë), kurse paralelisht me ta, pranë tyre, skaj tyre shpërthejnë detaje të përpunuara në mënyrë mjaft minucioze. E gjithë kjo shpërfaq një strukturë surrealiste, forca magjike e së cilës plotësohet me mprehtësinë e dritës.

“Drita na shfaqet si një nga kursivet vendimtare edhe në diskursin tematik (siç ndodh në të vërtetë edhe në pjesën dërrmuese të opusit artistik të R. Ametit), një dritë që lëshon rreze, një dritë që shënon zanafillën, paramaterien, besimin, religjionin, artin… të gjitha së bashku. Drita shpërthen nga bardhësia e pëlhurës, nga sipërfaqet e pastra, kurse ajo vetë nëpërmjet përthyerjes e ndërton spektrin e koloritit. Trekëndëshat, rrathët, katrorët, vertikalet dhe horizontalet organizohen në mënyrë sistematike mbi pëlhurë, ndërsa tashmë “barra” e tyre është mbushur me energji, me dinamikë, metafizikë materie. Struktura me materie relievore, si detaje peizazhesh, rudimentesh të një ekzistence e pranie, të spiritualitetit, ndërtojnë plasticitetin e këtyre shesheve gjeometrike formale dypërmasore dhe apostrofojnë gjenezën, pushtetin dhe fuqinë”.

Vlerësimi prek edhe të arriturat vendore e ndërkombëtare të Reshat Ametit, çmimet dhe prezenetimet e shumta nga ana e tij.

“Në Galerinë nacionale të Maqedonisë, në Hamamin e Daut Pashës – Shkup, u mbajt ekspozita retrospektive e tij “30 vjet krijimtari”. Gjatë gjithë asaj kohe kjo ekspozitë korri sukses të madh, një auditor i paparë ngazëllehej prej magjisë dhe vlerave të gjithëmbarshme të krijimtarisë së Reshat Ametit. Krijimtaria e Reshat Ahmetit, marrë në përgjithësi, meriton vëmendjen dhe respektin tonë nga shkaku i guximit dhe inventivitetit (në kuptimin krijues dhe në mënyrën e paraqitjes nëpër medie), por edhe për arsye të bibliografisë së tij jashtëzakonisht të pasur. Duke pasur parasysh të gjitha veçoritë e karakterit të veprimtarisë e të krijimtarisë së Reshat Ametit, në mënyrë të veçantë duhet të vihet në pah ajo më themelorja e tij – veprimtaria pedagogjike për arsimimin e brezave të rinj të artistëve si profesor në Fakultetin Pedagogjik në Shkup, në Universitetin Shtetëror në Tetovë, por edhe si profesor i jashtëm në Universitetin e Novi Pazarit. E një rëndësie të veçantë është sidomos veprimtaria e tij ndërkombëtare për ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe afirmimit të artit figurativ.

Ky bashkëpunim i tij veçanërisht është i rëndësishëm sa i përket bashkëpunimit me Universitetin Iliria, ku mbajti një ekspozitë shumë të suksesshme dhe mori pjesë në kolonitë e pikturës OMERIKA për nder të kolosit Omer Kaleshi që ka lidhje të pandashme me Universitetin Iliria. Reshat Ameti është aktiv edhe në sferën shoqërore si anëtar këshillash drejtues në institucione kulturore. Për punën e tij ka marrë edhe shumë mirënjohje e çmime, ku do ta përmendnim vetëm Çmimin shtetëror “11 Tetori” për veprën e tij jetësore në fushë të kulturës e të artit. Kjo biografi e pasur artistike, pedagogjike dhe shoqërore e këtij njeriu dhe artisti të jashtëzakonshëm e meriton ta marrë mirënjohjen më të lartë të Universitetit Iliria ANËTAR NDERI TË BORDIT TË KOLEGJIT ILIRIA”.

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 21 Maj, 2021 12:11