Regjistrimi, Vrangalla: Historikisht kemi fituar luftën në terren, e kemi humbur në tavolinë

Driton Zenku
Nga Driton Zenku 27 Mars, 2021 09:58

Regjistrimi, Vrangalla: Historikisht kemi fituar luftën në terren, e kemi humbur në tavolinë

Regjistrimi i Popullsisë në Maqedoninë e Veriut, dhe veçmas regjistrimi i mërgatës që është në proces e sipër, ka ngjallur debat të zëshëm në opinionin vendas. Më të zëshëm paraqiten partitë e kampit opozitar maqedonas. Thirrjet për ndërprerje të procesit por edhe për bojkot, po interpretohen në forma të ndryshme, shkruan Lobi.

Gazetari Agron Vrangalla, në pronpncimin për portalin Lobi, shpreh bindjen që që dallimet diametrale mes palëve sa i përket regjistrimit rezulltojnë si pasojë e mos(besimit) tek institucionet. Sipas tij, shqiptarët janë shumë në përqindje por kanë frikë se do të dalin pak sepse nuk i besojnë saktësisë së përqindjeve finale që do të nxjerrë në fund Enti për Statistika, kurse maqedonasit janë pak në numër por kanë besim në institucione se ata sërish do të dalin më shumë seç janë në realitet.

“Mobilizimi kaq i zëshëm i shqiptarëve për tu regjistruar dhe heshtja kaq e frikshme e maqedonasve, apo edhe thirrja për bojkot ka vetëm një përgjigje. Shqiptarët janë shumë në përqindje por kanë frikë se do të dalin pak sepse nuk i besojnë saktësisë së përqindjeve finale që do të nxjerrë në fund Enti për Statistika. Ndërkaq maqedonasit janë pak në numër por kanë besim në institucione se ata sërish do të dalin më shumë seç janë në të vërtetë. Përpjekja kaq e sforcuar e shqiptarëve për tu regjistruar masovikisht buron nga frika dhe pasiguria e tyre ndaj shtetit. Komoditeti i maqedonasve buron nga besimi se do të ruhet përqindja e tyre”, shprehet Vrangalla.

Sipas tij, kjo nuk guxon të ndodhë. Liderët shqiptarë, thotë ai, në vend se të bëjnë thirrje për regjistrim sikur po japin kushtrim lufte, bëjnë mirë të sigurojnë përqindjen reale të shqiptarëve në rezultatet finale.

“Historikisht kemi fituar luftën në terren dhe e kemi humbur në tavolinë. Është koha e fundit që të marrim pak mësim nga e kaluara dhe të forcojmë pozicionet tona në tavolinë, apo në rastin konkret, të bëhet përpjekje maksimale që përqindja e shqiptarëve të mos manipulohet por të rezultojë numri i saktë i tyre”, përfundon gazetari i Tv21, Agron Vrangalla.

Regjistrimi në vend duhet të mbahet nga 1 deri më 21 prill. Regjistrim i diasporës është duke u zhvilluar, i cili gjithashtu do të përfundojë më 21 prill. LOBI

Driton Zenku
Nga Driton Zenku 27 Mars, 2021 09:58