Regjistrimi, gazetarët: Mobilizimi nga të dyja anët, pasojë e frikës nga numrat!

Driton Zenku
Nga Driton Zenku 25 Mars, 2021 20:47

Regjistrimi, gazetarët: Mobilizimi nga të dyja anët, pasojë e frikës nga numrat!

Regjistrimi i Popullsisë në Maqedoninë e Veriut, dhe veçmas regjistrimi i mërgatës që është në proces e sipër, ka ngjallur debat të zëshëm në opinionin vendas. Më të zëshëm paraqiten partitë e kampit opozitar maqedonas. Thirrjet për ndërprerje të procesit por edhe për bojkot, po interpretohen në forma të ndryshme, shkruan Lobi.

Gazetari Furkan Saliu në prononcim për Lobi-n, shprehet që paniku tek opozita prej në fillim kur edhe u paralajmërua regjistrimi i popullsisë është i pakuptueshëm.

Furkan SALIU

“Ata që në fillim provuan ta bllokojnë sjelljen e ligjit, që më vonë të bëjnë thirrje për bojkot. Deri më tani, përveç pohimeve paushall në konferenca për media se numrat do të manipulohen, opozita nuk ka ofruar provë reale se kjo mund të ndodhë. Ata po tregojnë frikë, e kjo sipas mendimit tim është se kështu sepse gjasat janë reale që numri i shqiptarëve të shënojë rritje. Gjithmonë sipas meje, opozita realisht nuk ka frikë nga manipulimi i regjistrimit, por ka frikë se regjistrimi do të zbatohet pa manipulime dhe do të pasqyrojë numrin real të popullsisë në këtë vend”, shprehet gazetari i Tv Klan Maqedoni, Furkan Saliu.  

Në anën tjetër, gazetari Agron Vrangalla shpreh bindjen që që dallimet diametrale mes palëve sa i përket regjistrimit rezulltojnë si pasojë e mos(besimit) tek institucionet. Sipas tij, shqiptarët janë shumë në përqindje por kanë frikë se do të dalin pak sepse nuk i besojnë saktësisë së përqindjeve finale që do të nxjerrë në fund Enti për Statistika, kurse maqedonasit janë pak në numër por kanë besim në institucione se ata sërish do të dalin më shumë seç janë në realitet.

Agron VRANGALLA

“Mobilizimi kaq i zëshëm i shqiptarëve për tu regjistruar dhe heshtja kaq e frikshme e maqedonasve, apo edhe thirrja për bojkot ka vetëm një përgjigje. Shqiptarët janë shumë në përqindje por kanë frikë se do të dalin pak sepse nuk i besojnë saktësisë së përqindjeve finale që do të nxjerrë në fund Enti për Statistika. Ndërkaq maqedonasit janë pak në numër por kanë besim në institucione se ata sërish do të dalin më shumë seç janë në të vërtetë. Përpjekja kaq e sforcuar e shqiptarëve për tu regjistruar masovikisht buron nga frika dhe pasiguria e tyre ndaj shtetit. Komoditeti i maqedonasve buron nga besimi se do të ruhet përqindja e tyre”, shprehet Vrangalla.

Sipas tij, kjo nuk guxon të ndodhë. Liderët shqiptarë, thotë ai, në vend se të bëjnë thirrje për regjistrim sikur po japin kushtrim lufte, bëjnë mirë të sigurojnë përqindjen reale të shqiptarëve në rezultatet finale.

“Historikisht kemi fituar luftën në terren dhe e kemi humbur në tavolinë. Është koha e fundit që të marrim pak mësim nga e kaluara dhe të forcojmë pozicionet tona në tavolinë, apo në rastin konkret, të bëhet përpjekje maksimale që përqindja e shqiptarëve të mos manipulohet por të rezultojë numri i saktë i tyre”, përfundon gazetari i Tv21, Agron Vrangalla.

Regjistrimi në vend duhet të mbahet nga 1 deri më 21 prill. Regjistrim i diasporës është duke u zhvilluar, i cili gjithashtu do të përfundojë më 21 prill. LOBI

LEXO PO ASHTU:

Driton Zenku
Nga Driton Zenku 25 Mars, 2021 20:47