Policia vihet në lëvizje, është gjetur bariu nga Shqipëria

Driton Zenku
Nga Driton Zenku 22 Maj, 2021 17:18

Policia vihet në lëvizje, është gjetur bariu nga Shqipëria

Lajmi që u publikua nga televisioni Ora News i Tiranës dhe që më pas u transmetua edhe në Agjencinë e lajmeve Flaka, për bariun nga Shqipëria që pretendohej të mbahej peng në fshatin Toplicë të rrethit të Gostivarit, ka vënë në lëvizje Policinë e Maqedonisë së Veriut.

Agjencia e lajmeve Flaka, pas denoncimit të rastit mbi fatin e Xhevahir Hoxhës nga fshati Xhyrë i Librazhdit, kontaktoi kryeshefin e Sektorit të Punëve të Brendshme në Tetovë, Amir Dalipin dhe kryeshefin e Departamentit të Punëve të Brendshme në Gostivar, Basri Veseli për të kërkuar informacion rreth rastit në fjalë.

Pasi u njoftuan me rastin, përgjegjësit e Policisë u vunë në lëvizje. Mëngjesin e së shtunës Policia ka arritur të lokalizon vendin ku jetonte. Kryeshefi i Departamentit të Punëve të Brendshme në Gostivar, Basri Veseli i tha Flakës që personi në fjalë është gjetur dhe është shëndosh e mirë.

Basri Veseli

“Ekipet tona dolën në terre dhe gjetën Xhevahir Hoxhën nga Librazhdi. Personi ishte shëndosh e mirë. Sipas informacioneve filleshtare, nuk ka pasur ndonjë mosmarrëvarshje mes tij dhe pronarit. Pronari është zotuar që do të shlyen obligimet ndaj tij, dhe nga ana jonë, personi në fjalë do të deportohet në Shqipëri tek familja e tij”, deklaroi Veseli.

Lajmi për FLAKA u konfirmua edhe nga kryeshefi i Sektorit të Punëve të Brendshme në Tetovë, Amir Dalipi.

Jo zyrtarisht, Flaka mëson që banor i Librazhdit ka probleme mendore por ky informacion ende nuk është konfirmuar. Flaka mëson që deri tek denoncimi ka ardhur pas një sherri mes tij dhe një bariu tjetër, po ashtu nga Shqipëria. Ky i fundit ka dashur të angazhohet në punë tek pronari i bagëtisë, por ai kishte vendosur të mbajë në punë Xhevahir Hoxhën. Pastaj, bariu tjetër ka nxitur rastin.

Gjithmonë sipas dëshmitarëve, rreth rastit në fjalë nuk ka elemente të vepres penale, por bariu nga Shqipëria mund ta shfrytëzon të drejtën për ta paditur privatisht pronarin ku punonte, nëse mendon që i është bërë padrejtësi.

Amir Dalipi

Kryeshefi i Sektorit të Punëve të Brendshme në Tetovë, Amir Dalipi i tha Flakës që rreth rastit në fjalë informacion të plotë dhe zyrtarë do të ketë brenda kohës, kur zëdhënësi i SPB – Tetovë do të shpalos të gjitha detajet.

Ora News, raportoi të premten që Xhevahir Hoxhën nga Librazhdi në janar u rinis sërish në Gostivar, ku punoi si bari, por jo vetëm që pagën e munguar nuk e ka marrë, por këtë herë shprehet se as nuk e lejojnë të kthehet në banesën e tij në Xhyrë të Librazhdit.

Pastaj, Ora News ka udhëtuar drejt fshatit, ndërsa familjarët e tij konfirmojnë humbjen e kontakteve, dhe historinë e Xhevahir Hoxhës. Vëllai i tij thotë se nuk e ka bërë ende denoncimin në polici, ndërsa shprehet se nuk di si të zgjidhë këtë situatë. FLAKA

Video e publikuar nga Ora News me datë 21 Janar – 2021
 width=
Driton Zenku
Nga Driton Zenku 22 Maj, 2021 17:18