Po rritet numri i të infektuarve dhe hospitalizuarve me Kovid-19

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 10 Mars, 2021 08:44

Po rritet numri i të infektuarve dhe hospitalizuarve me Kovid-19

Numri i të saposëmurëve nga Kovid-19 dhe i të hospitalizuarve në vend për çdo ditë po rritet. Sipas të dhënave të publikuara dje të Institutit të Shëndetit Publik për 24 orët e kaluara, janë regjistruar edhe 872 raste me Kovid-19, 22 pacientë kanë ndërruar jetë, ndërsa 412 pacientë janë shëruar.

Në repartet infektive në vend po mjekohen 899 pacientë me Kovid-19 prej të cilëve 353 janë në Shkup dhe ka rreth 330 shtretër të lirë në spitale në qendrat e kovidit, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.

Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me Kovid në vendin tonë prej fillimit të epidemisë paraqet 108.350, numri i pacientëve të shëruar është 95.822, i të vdekurve është 3.228, ndërsa numri i rasteve aktive është 9.300. Nga numri i përgjithshëm i rasteve aktive 4.485 janë në Shkup, 704 në Prilep, 531 në Kavadar, 428 në Ohër, 355 në Kumanovë, 318 në Negotinë, 271 në Tetovë, 267 në Gjevgjeli …

Vaksinë kundër Kovid-19 deri dje kanë marrë 3.759 punonjës shëndetësorë, informuan për MIA-n nga Ministria e Shëndetësisë.

Për vaksinim kundër Kovid – 19 janë regjistruar 130.463 qytetarë prej të cilëve 76.990 përmes ueb faqes “vakcinacija.mk”, ndërsa 53.473 nga ana e mjekëve. Deri tani janë paraqitur gjithsej 61.908 persona mbi 70 vjeç.

Kryeministri Zoran Zaev mbrëmë në një emision ku ishte mysafir tha se shteti ka porositur rreth 2 milionë e 350 mijë vaksina dhe se pritet që nga fundi i këtij muaji të fillojnë të vijnë sasi më të mëdha.

“Marrëveshja me Fajzerin është nënshkruar. Deri në fund të marsit 21.000 vaksina do të vijnë. Nga prilli, maji fillojnë të mbërrijnë sasi më të mëdha. Përmes sistemit Kovaks i presim të mbërrijnë 20-30.000 të vijnë deri në fund të marsit. Në mars presim të mbërrijnë edhe ato kineze. Punët varen prej sasive të përgjithshme të prodhuara në botë”, shtoi Zaevi.

Qeveria në kuadër të mbledhjes së 51-të e shqyrtoi dhe miratoi informacionin për nevojën për ristrukturim të projektit për përballje urgjente me Kovid-19, gjegjësisht të huasë së Bankës Botërore në vlerë prej 90 milionë euro, dhe për këtë qëllim të sajin ta njoftojë bankën.

Me ristrukturimin e planit për shfrytëzim të kësaj huaje, siç kumtoi pres shërbimi qeveritar, do të sigurohen mjete si shpërblim financiar për punonjësit shëndetësor për vëllimin e rritur në punë në luftën me Kovid-19 në vlerë prej 7,7 milion euro për pagesë të bonusit të planifikuar në periudhën prej nëntë muajve, gjegjësisht nga prilli deri në dhjetor të vitit 2020.

Qeveria solli vendim të zbatohet fushatë edukative dhe informuese me interes të jashtëzakonshëm publik për mbrojtje dhe për imunizim të popullatës nga Kovid-19 dhe e angazhoi Sekretariatin e Përgjithshëm brenda 15 ditëve në koordinim me Ministrinë e shëndetësisë dhe me Sektorin për Marrëdhënie me Publikun të Qeverisë të realizojë furnizim publik për zgjedhjen e një zgjidhjeje ideore dhe krijuese dhe për realizimin e fushatës.

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 10 Mars, 2021 08:44