Perandori i fundit në botën e postrevolucionit

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 9 Mars, 2021 22:28

Perandori i fundit në botën e postrevolucionit

Nga: Agron Tufa (shkrim i vitit 2015)

Kthimi i Bertoluçit (Bernardo Bertolucci) në Itali pas pesëmbëdhjetë vjet mungesë krijimtarie, duhej të qe bërë sensacion. Në një pres-konferencë ai shpalli se gjithë këto vite ia kishte shpifur punën kutërbimi prej kufome i korrupsionit.

E, sidoqoftë ai u kthye dhe shumë shpejt ndodhën ndryshime: në zgjedhje fituan të majtët. Bertoluçi xhiroi në Toskanë një afresk të madh liriko-epik “Bukuria e rrëshqitshme” (1996) dhe telefilmin “Robërimi”(1998) për dashurinë e një anglezi dhe një afrikaneje në sfondin e “qytetit të përjetshëm”. I pari të ngjan si një konspekt i kinoromaneve të mëparshme, i dyti u quajt prej gazetarëve “Tangoja e fundit në Paris”. Megjithatë Bertoluçi nuk e arriti nivelin e sukseseve të mëparshme.

“Bukuria e rrëshqitshme” vazhdon serinë e shiritave të regjisorit për amerikanët që udhëtojnë nëpër botë në kërkim të identitetit të tyre. Çehovjan për nga dramaturgjia, rilindas për nga zgjidhja e piktoriale (peizazhet e Toskanës janë të nginjura me një bukuri pothuaj mistike) dhe mprehtësish bashkëkohor për nga muzika, filmi nuk i solli regjisorit ngadhënjimin në Kanë. “Më mirë të kishte realizuar ‘Lolitën’ e Vladimir Nabokov-it”, – thumboi dikush prej gazetarëve. Muzën e re të Bertoluçit, Liv Tyler-in e kanë quajtur Lolitën amerikane, ndërsa fytyrën e saj të ndjeshme më parë se të fillonte festivali i Kanës e konsideronin si emblemën e tij. Tyler luan vajzën nga Nju-Jorku, e cila vjen në Itali që të takojë të atin dhe të humbasë virgjërinë. Kur pas shumë përpjekjesh të pasuksesshme kjo arrin të ngjasë, salla shpërthen në ovacione ironike. Asgjë e ngjashme me atë drithërimë të shenjtë që provokonte çdocili gjest artistik i regjisorit italian në kohën e lavdisë së tij të epërme.

Lavdia në fjalë filloi me “Коnformistin” (1970) dhe sosi me “Perandorin e fundit” (1987), megjithëse i pari nuk ka qenë zanafilla, ndërsa i dyti ka qenë fundi i karrierës së Bertoluçit. Megjithë kthesat më të forta e të papritura në të, ndjehej gjithnjë pandërprerja, ndërsa filmi i ri e zvarriste pas vetes fillin e asociacioneve nga e kaluara.

Para së gjithash – me fatin e gjeneratës që ka kaluar përmes vitit 1968. Pikërisht atëherë u shfaq filmi “Partneri” që mbështetet mbi fabulën e njohur të “Sozisë” së Dostojevskit, ilustroi idetë teatrale të Antonin Artaud-it. Ky qe një teatër i shpërngulur në rrugë ku njerëz ekstravagantë gjezdisnin me “Faqoret e Molotovit”, përshëndesnin parullat revolucionare, duke qenë ndërkaq e prapta ekscentrike e realitetit. Vetë realiteti i momentit historik fshihej diku ndërmes skeleteve të konstrukteve intelektuale, por sot ai lexohet e deshifrohen saktë. Për të tillë filma thonë se ata janë “të datuar” ose: ata “kanë mbetur në kohën e tyre”, dhe në rastin e dhënë ky është më shumë një kompliment.

Bertoluçi i ka dhënë përkufizimin një epoke të tërë, duke e quajtur atë që në filmin e tij të dytë me “Para revolucion”. Një tjetër përkufizim programatik është ajo e regjisorit Marco Bellocchio-s: filmi i tij “Кina është afër” aludonte me titullin e tij se për ku janë drejtuar vështrimet e inteligjencies së majtë perëndimore – që nga Sartre e deri tek studenti rishtar.

Sigurisht, ishte edhe Rusia. Megjithëkëtë nga një shqyrtim më i imët ajo na dilte aspak një vend idealistësh, sikundër dukej prej së largu. Fundi i një epoke të bukur iluzionesh dhe shpresash qe po ajo 68-ta. Gjersa studentët në kryeqytetet perëndimore tronditnin rendin kapitalist, ushtarët sovjetikë me një cinizëm perandorak pushtonin Çekosllovakinë, duke kallur rebelim të plotë në mendjet e majta.

Në ndryshim nga shumë të tjerë, Bertoluçi diti të kundërvinte dhe të analizonte. Pjesën më të madhe që bëri ai në vitet ’70, mund ta bashkosh në një cikël të quajtur “Pas revolucionit”: në të mund qenë përfshirë në radhë të pare, të tillë filma-metafora, si “Tangoja e fundit në Paris” (1972) dhe “Hëna”(1979). Në to ruhet ende aroma e utopisë romantike, porse mbizotëron hidhësira e mësimeve të esëllta.

“Tangoja e fundit” është njëri prej konvulseve më të thekshme të lirizmit individual, njëri prej shkulmave më të forta drejt lirisë së të gjitha niveleve: ekzistenciale, sociale, ndjesore, artistike. I pagëzuar paraprijës i kinematografisë erotike, ky film i shembi edhe bastionet e fundit të censurës.

Në simpoziumin italiano-sovjetik të organizuar në vitin 1973 në Romë nga Sergei Gerasimov, pa e mohuar talentin e Bertoluçit, ai deklaroi që filmi i tij i fundit është mbushur me një “Patos të ulët”. Ai u zotua se ky film kurrë nuk do të shfaqet në Bashkimin Sovjetik ku problemet seksuale nuk ekzistojnë. Kinokritiku Rostislav Gurjev tha që ia ka frikën talentit të Bertoluçit, sepse “të dëftesh me të tilla imtësira një copëz të neveritshme tëlyni – është e krupshme”.

Pjesëmarrësit italianë të simpoziumit qenë të habitur me seksofobinë aq të tërbuar të miqve dhe u përpoqën t’i bindin se nuk duhet t’i qasesh artit nga pozicioni i një prifti fshati. Gjëja më pikante kishte të bënte me faktin, se si përputheshin pikëpamjet e komunistëve ortodoksalë me ato të konservatorëve të djathtë. Të fundit kërkonin të sakrifikojnë artin për hir të “ndjenjës së turpit”. Të parët bënin apel për të parë tek Moska, duke thënë se atje “gjakojnë të ndërtojnë një shoqëri të shëndoshë morale, ku tëlyni përdoret si produkt ushqimor, dhe jo për të tilla qëllime, si në filmin e fëlliqur të Bertoluçit “.

Sot kjo gjë tingëllon anekdotike. Por, atëherë redaksia duke sulmuar “Tangon e fundit” u bë goditje e rëndë për regjisorin komunist. Bertoluçi bëri një film politik – ende jo krejt antiborgjez, porse pa radikalët e majtë dhe iluzionet anarkiste, fiktive rezulton arratisja e Zhanës së re nga robëria e rutinës borgjeze: natyra e saj merr të vetën, dhe ajo do t’i jepet “dashurisë së përtejkufijshme”. Tjetër punë – seksi (roli fatbardhë i Marlon Brando-s): ky superburrë që ka humbur orientimet që të ndjehet gjallë, e vendos veten dhe të dashurën në një situatë ndërmjet jetës dhe vdekjes. Megjithatë sadomazohizmi dhe ekzibicionizmi i tij janë dhënë prej regjisorit jo pa ironi. Kërkimi i lirisë personale në fillim përmes ekspansionit social e mandej përmes atij seksual mbërrijnë në qorrsokak, ndërsa rebelimi i revolucionarit të dëshpëruar përmbyllet me demonstrimin publik të prapanicës së vet.

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 9 Mars, 2021 22:28