Nesër “aterrojnë” 24 mijë vaksina “Astra Zeneka”
24 mijë vaksina “Astra Zeneka” nesër do të aterrojnë në Aeroportin e Shkupit. Kjo është dërgesa e parë e cila mbërrin nga Kovaks-mekanizmi. Vaksina “Astra Zeneka” pranohet në dy doza, por brenda 3 muajve, raporton TV21.
Agjencia Evropiane e Barnave të hënën do ta shqyrtojë sigurinë e këtyre vaksinave, pasi u paraqitën disa raste të mpiksjes së gjakut.
Ndryshe, kryeministri bullgar, Bojko Borisov paralajmëroi se javën e ardhshme Maqedonisë së Veriut do të donojë 5 mijë vaksina.
Në vend është duke u zhvilluar vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë, kurse deri më tani janë vaksinuar 6.940. Në listë për vaksinim janë personat e moshuar, të sëmurët kronikë, regjistruesit, policët, Armata dhe qytetarët e tjerë.
Derisa pritet të fillojë imunizimi masiv, përkeqësohet edhe gjendja nëpër spitale.
Ministri Venko Filipçe, mëngjesin e sotëm mbajti takim me drejtorët e covid-qendrave. Ai apeloi të respektohen masat, veçanërisht nga ana e të rinjve.