Mickoski dhe Zaev do t’i “hekurosin” dallimet!

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 26 Mars, 2021 15:55

Mickoski dhe Zaev do t’i “hekurosin” dallimet!

“Domethënë u përpoqa në çdo mënyrë. Thashë se me Gruevskin mundesha të gjeja zgjidhje, kurse me Mickoskin nuk mund”, u shpreh Zoran Zaev.

Kështu vetëm para 20 ditëve fliste kryeministri Zoran Zaev për kolegun e tij opozitar, Hristijan Mickoskin. Por, edhe përkundër retorikës së tillë, ai e pranoi sfidën nga lideri i VMRO-DPMNE-së. Të hënën do të realizojnë takim sy me sy, kurse sipas paralajmërimit do të bisedojnë për çështje të rëndësishme shtetërore dhe politike.


“Duke pasur parasysh se një kohë të gjatë nuk isha prezent në opinionin publik për shkak të Covid-19, e thirr Zoran Zaevin në takim sy me sy në Klubin e Deputetëve. Ai le ta zgjedh orën dhe ditën, unë jam në dispozicion. Do ta përshtat kohën time siç i konvenon atij me qëllim që të bisedojmë për të gjitha gjërat që kanë rëndësi të madhe për qytetarët, duke filluar nga kriza me pandeminë deri te puna e Kuvendit”, deklaroi Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Kryeministri Zoran Zaev mbrëmë për TV21 konfirmoi se e pranon ftesën e liderit të VMRO-DPMNE-së ndërsa sot i paralajmëroi edhe temat e mundshme për bisedë. Ai beson se pas takimit të hënën me Mickoskin do të njoftojnë se është gjetur zgjidhje mes subjekteve të mëdha politike për Kodin zgjedhor, siç është sjellja e listave të hapura në zgjedhjet lokale dhe një njësi zgjedhore në zgjedhjet parlamentare.

 “Më vjen mirë që të hënën ndoshta do të mundemi të njoftojmë se ka zgjidhje mes subjekteve të mëdha politike për Kodin zgjedhor dhe për vendosjen e modelit për gjurmë gishti. Besoj se Kuvendi shumë shpejtë do ta vendosë në rendin e ditës që ta zgjidhim edhe këtë çështje për shkak se tani na pret edhe shumë punë për Kodin zgjedhor – t’i inkuadrojmë rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe t’i përcaktojmë modelet zgjedhore. Angazhohemi për lista të hapura në zgjedhjet lokale ku qytetarët do të munden ta zgjedhin këshilltarin prej listës së këshilltarëve. Do të duhej ta hapim dhe ta mbyllim me sukses demokratizimin e shtetit përmes modelit të ri të votimit për zgjedhjet parlamentare në një njësi zgjedhore që do t’u japë mundësi partive më të vogla të jenë të përfaqësuara në mënyrë më adekuate”, theksoi Zoran Zaev – kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Zaev theksoi se do të bisedojnë edhe për zhbllokimin e të gjitha ligjeve të bllokuara që paraqesin përkrahje për qytetarët, punëtorët dhe kompanitë. Me rastin e caktimit të takimit të kryeministrit dhe njëkohësisht lider i LSDM-së me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoskin, me reagim doli lideri i Alternativës Afrim Gashi. Ai e pyet Zaevin se pse në këtë takim nuk do të marrin pjesë liderët e partive shqiptare. Kryeministri u përgjigj se nuk e ka parë mesazhin e Gashit i cili ia ka dërguar në Facebook, por tha se janë miq dhe bashkëluftëtarë për një shoqëri për të gjithë. 

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 26 Mars, 2021 15:55