Mbeturinat e Mavrovë Rostushës sërish në Dibër

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 27 Mars, 2021 14:47

Mbeturinat e Mavrovë Rostushës sërish në Dibër

Ndërmarrja komunale publike “Standardi”, në Dibër, kërkoi nga Këshilli i Komunës të jap dritë jeshile që përsëri mbeturinat të rajonit Reka e Poshtme nga Komuna Mavrovë Rostushë të deponohen në deponinë e Dibrës. Në sqarimet që dha drejtori i ndërmarrjes komunale, Burim Kaba, theksoi se bëhet fjalë për një kontratë të re që mbeturinat nga Mavrovë Rostusha,konkretisht nga Reka e Poshtme, të hidhen në deponinë e Dibrës. Ai tha se interesi do të ishte i dyfishtë – mbrojtja e mjedisit jetësor, si dhe aspekti financiar. Në debatin që u zhvillua në Këshillin e Komunës, kryetari i këshillit Bashkim Mashkulli theksoi se kohë më parë, mbeturinat e kësaj komune nga rajoni i Rekës për një shumë prej 500 eurove në muaj hidheshin në deponinë e Dibrës. Kontrata u ndërpre meqë deponia e Dibrës para dy vitesh ishte në situatë kaotike dhe tani kur situata në deponi është stabilizuar është mirë që kontrata mes ndërmarrjeve komunale të Dibrës dhe Mavrovë- Rostushës të riaktivizohet, tha Mashkulli.

Megjithatë, ai theksoi se nëse i nuk japim dritë jeshile marrëveshjes Dibër-Mavrovë Rostushë, duhet ta kemi parasysh se mbeturinat e fshatrave të Rekës përfundojnë në Lumin Radikë dhe po ashtu ndotet edhe Liqeni i Dibrës. “Efektet financiare sigurisht se do të ndihmojnë edhe ndërmarrjen komunale të Dibrës”, u shpreh ai.

Udhëheqësi i njësisë për higjienë publike i ndërmarrjes “Standardi”, Omer Cami, arsyetoi se mbeturina komunale nga komuna fqinje nuk janë mbeturina të rrezikshme për deponinë e Dibrës. “Kontrata po ashtu mundëson një financim në kontinuitet, i cili do të sjell grumbullim të mjeteve në buxhetin e ndërmarrjes komunale. Njëkohësisht mundëson mbrojtjen e Lumit Radik dhe ujërave të tjerë nga ndotja në këtë rajon”, tha ai. Por, këshilltarët e opozitës – respektivisht të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, Fisnik Mela dhe Ilirian Fetahu, kërkuan që drejtoria e ndërmarrjes “Standardi” të jep detaje rreth kontratës dhe të arsyetojnë efektet materiale nga kontrata e re. “Ne kërkojmë të dimë edhe vlerën e kontratës së re”, thanë këshilltarët opozitar, duke shtuar se marrja e mbeturinave nga një komunë tjetër duhet të ketë efekte materiale. Fetahu potencoi se Komuna Mavrovë Rostushë kërkon të jetë komunë pa deponi. “Edhe kur i mblidhnim më parë mbeturinat, serish Lumi Radika ishte e mbushur me mbeturina. Prandaj duhet të kemi detaje të kontratës ngaqë edhe Komuna e Dibrës nuk do të ketë deponi”.

Diskutimet në debat rreth kontratës së re pamundësoi marrjen e dritës jeshile për këtë kontratë në këtë seancë dhe këshilli ra dakord që për këtë çështje, të debatohet në seancën e ardhshme. Në seancë po ashtu u ngrit përsëri çështja e grumbullimit të mbeturinave në fshatra e Dibrës. Udhëheqësia e re e ndërmarrjes komunale potencoi se nevojiten mjetet plotësuese për realizimin e këtij projekti. Sipas udhëheqësit të ndërmarrjes, aktualisht është përgatitur një projekt që me mjete të Bankës Botërore, të pajisen me automjete për grumbullimin e mbeturinave në vendbanimet rurale, por njëkohësisht nevojitet edhe korrektesë nga banorët e fshatrave për të paguar shërbimet për grumbullimin e mbeturinave. (koha.mk)

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 27 Mars, 2021 14:47