Majtas-djathtas njejtë për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 28 Prill, 2021 21:46

Majtas-djathtas njejtë për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut

Berisha ishte politikani më i preferuar ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Në vitet 1992-1997, Berisha dhe Partia Demokratike mjaftoheshin me deklarata mediatike për avancimin e statusit juridik-kushtetues të shqiptarëve. Berisha është nismëtari dhe realizuesi politik i projektit kolosal “Rruga e kombit”, ndërsa Edi Rama është nismëtari dhe garantuesi joformal i Platformës së Tiranës.

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

Maqedonia e Veriut është e rrethuar me fqinjë, të cilët secili nga këndvështrimet dhe interesat e veta kombëtare konteston pjesë të identitetit të saj: Greqia deri në vitin 2018 e kontestonte emrin, Bullgaria sot e kësaj dite nuk njeh gjuhën dhe identitetin etnik maqedonas para vitit 1945, duke konsideruar se maqedonasit janë bullgarë, ndërsa Serbia dhe Kisha Serbe e kontestojnë autoqefalitetin e Kishës Ortodokse Maqedonase.

Tirana e njohu Maqedoninë pa kushte

Shqipëria është fqinji i vetëm, i cili nuk kontestonte asnjë veçori të identitetit dhe shtetësisë së Maqedonisë së Veriut. Në prill të vitit 1993, shteti shqiptar, në krye të të cilit ishte Sali Berisha, ishte ndër të parët që e njohu shtetin e ri të Maqedonisë. Natyrisht, njohja u bë me referencën Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, me të cilën njihej në Kombet e Bashkuara.

Edhe pse në Kushtetutën e Shqipërisë qëndron e zeza në të bardhë se Tirana do të kujdeset për të drejtat e shqiptarëve jashtë kufijve të saj, rrjedhimisht edhe në Maqedoninë e Veriut, njohja u bë e pakushtëzuar në raport me statusin juridik-kushtetues të shqiptarëve. Duhet thënë që njohja e Maqedonisë, atëbotë, ishte interes gjeostrategjik edhe i Shqipërisë, ndërsa Berisha arsyetohej se formimi i një Maqedonie të pavarur do ta mbante Serbinë dhe Greqinë larg shqiptarëve dhe, sidomos, larg Shqipërisë. Andaj, sipas tij, nevojitej që Shkupi dhe Tirana të kenë marrëdhënie të mira dypalëshe. Berisha shprehej: “Një Maqedoni e pavarur është më e mirë se një Maqedoni nën Sllobodan Milosheviqin“. Pavarësisht kësaj retorike dhe faktit që faktori ndërkombëtar ka këmbëngulur që Shqipëria ta njohë sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë, Tirana zyrtare nuk duhej të ishte aq dorëlirë ndaj njohjes së atëhershme si shtet i pavarur dhe sovran, pa çka se njohja u bë me referencë. Politika zyrtare shqiptare, së paku, duhej të kërkonte nga Shkupi, që pushteti i shtetit të ri të jetë jodiskriminues në aspektin institucional dhe sistemor ndaj shqiptarëve!

Edhe pse Berisha e kishte bërë këtë veprim, me gjasë strategjikisht, jo i menduar mirë politikisht, ndër shqiptarët e këtushëm do të ishte politikani më i preferuar nga Tirana. Ai shihej si shpëtimtar i kombit, si njeri me taban shqiptar, që nuk mendon vetëm për interesat e Shqipërisë, por edhe të shqiptarëve në Maqedoni. Ai njihej, si këtu, ashtu edhe në Kosovë, me emrin përkëdhelës “Salë”.

Thjesht, ky ishte perceptim, pasi në anën tjetër e kishin Partinë Socialiste, trashëgimtare e Partisë së Punës së Enver Hoxhës dhe meqë Shqipëria nuk “lulëzonte”, siç kishte propaganduar Radiotelevizioni Shqiptar, së bashku me veprat e realizimit letrar socialist, ndër shqiptarët kishte krijuar animozitet ndaj të majtës. Jo vetëm aq, por e majta shihej me nënçmim dhe përbuzje. Animozitetin e shtonte fakti se Partia Socialiste e Shqipërisë kishte emërtim të njëjtë me Partinë Socialiste të Sllobodan Millosheviqit dhe çdo gjë që mbante brenda vetes emërtimin socialist asoconte tek komunizmi, përkatësisht në një sistem të padrejtë, që shkelte të drejtat shqiptare. Demokracia dhe e djathta shiheshin si dritë dielli që pritet ta ndriçojë hapësirën shqiptare.

Jo vetëm në aspektin qytetar, por edhe në atë politik, relacionet me Partinë Demokratike të Shqipërisë ishin të afërta. Partia e Prosperitetit Demokratik, që e deklaronte veten subjekt politik i djathtë, kishte takime dhe raporte të shpeshta me Partinë Demokratike të Berishës, ngjashëm siç kishte edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ky bashkëpunim i thellë do të “ftohej”, por nuk do të ndërpritej në intensitet, edhe pas ndërhyrjes së “demokratëve shqiptarë” në përçarjen e PPD-së në dy blloqe, duke ndikuar në formimin e fraksionit të quajtur PPDSH, i drejtuar nga Arbën Xhaferi.

Në vitet 1992-1997, Berisha dhe Partia Demokratike do të mjaftoheshin me deklarata mediatike për avancimin e statusit të shqiptarëve, por ndonjë veprim serioz shtetëror nuk kishin ndërmarrë. Politika pasive e stilit “as mish, as peshk” e Sali Berishës ndaj shqiptarëve në Maqedoni, do ta përshkonte thuajse tërë mandatin e parë të tij qeverisës. Për të mos hyrë ndër hak dhe për të qenë korrektë, duhet theksuar se Sali Berisha e ka mbështetur regjistrimin dhe studimin e mijërave studentëve shqiptarë nga Maqedonia, duke mos paguar asnjë lek për shkollimin e tyre. Një vepër me impakt kombëtar, gjithsesi!

“Rruga e kombit” – vepër e Berishës

Në vitin 1997, vjen në pushtet Partia Socialiste dhe Fatos Nano, duke qëndruar deri në vitin 2005. Qasja e socialistëve ndaj shqiptarëve të Maqedonisë mbeti e pandryshuar, krahasuar me të djathtën, aq më shumë që të majtës i ra në hise të merret me luftën e Kosovës. Edhe në hapësirën kombëtare kosovare e djathta kishte besueshmëri shumë të lartë. Lufta e Kosovës dëshmoi se edhe e majta në Shqipëri, në çaste të caktuara të orës historike, mund të bëjë veprime kombëtare.

Pasi socialistët i bënë dy mandate politike qeverisëse, ardhja e sërishme në pushtet e Sali Berishës, nuk u prit me ndonjë entuziazëm të madh ndër shqiptarët e këtushëm. Pas mileniumit të tretë, elitat politike sikur filluan të promovonin diversifikimin e politikëbërjes në rrafshin kombëtar, duke e menduar, por duke mos e thënë troç, se shqiptarët e kanë shtetin e tyre, pra Maqedoninë e Veriut, përmes institucioneve të sistemit, të të cilit duhej të jetësoheshin të drejtat kolektive të shqiptarëve.

Berisha, si në vitet e ‘90-ta, vazhdonte t’i mbronte shqiptarët e Maqedonisë së Veriut me “llafe të mëdha”, duke u vetëquajtur gardian i mbrojtjes së shqiptarëve të Maqedonisë. Pavarësisht llafologjisë politike, Berisha ka bërë një vepër monumentale kombëtare. Është nismëtari dhe realizuesi politik i projektit kolosal “Rruga e kombit”, i cili filloi në vitin 2007 dhe përfundoi në vitin 2010, duke e lidhur Shqipërinë me Kosovën, por që benefitet e saj i ndjejnë edhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Kjo vlen për fushën ekonomike, pasi marrëdhëniet midis kompanive janë bërë më intensive, ndërsa një gjë e tillë reflektohet sidomos në fushën e turizmit. Tanimë në Tiranë dhe në bregdetin shqiptar arrihet shumë më shpejtë sesa kah rruga e vjetër, përmes pikës kufitare Qafëthanë.

Platforma e Tiranës – vepër e Edi Ramës

Ngjashëm si Berisha dhe Nano, edhe Edi Rama, politikani që e drejton Shqipërinë nga viti 2013, herë pas herë ka bërë deklarata në favor të statusit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Në janar të vitin 2017 ai ishte nismëtar i firmosjes së Deklaratës së Përbashkët të Partive Politike Shqiptare të Maqedonisë së Veriut, e cila nga mediat e këtushme, sidomos ato maqedonase u quajt “Platforma e Tiranës”.

Kjo platformë politike i përfshinte interesat kombëtare të shqiptarëve të Maqedonisë, por – përveç takimit në Tiranë dhe dy takimeve në Shkup – ajo ka mbetur vetëm në letër. Tryeza, e cila duhej të funksiononte për jetësimin e saj politik, nuk u shtrua moti kohë, ndërsa tentimi i fundit i AliAhmetit për konvokimin e saj ishte më shumë teatër politik sesa përpjekje reale për të biseduar “vëllazërisht” mbi çështjet madhore kombëtare. As nga Edi Rama, si garantues i firmosjes së Platformës së Tiranës, nuk ka pasur asnjë reagim politik, qoftë për jetësimin e pikave të saj, qoftë të Tryezës.

Kur e promovoi veprën e tij “Kurbani” në Shkup, Edi Ramës në promovim i kishin shkuar një grusht njerëzish, kryesisht intelektualë, që vetvetiu ishte dëshmi se ai gëzonte popullaritet të dobët ndër shqiptarët. Por, fakti që ai e drejton Shqipërinë vite me radhë dhe disa rezultate shënohen në planin ekonomik zhvillimor të Shqipërisë, edhe pse ai nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim në drejtim të bashkëpunimit dhe bashkërendimit të shqiptarëve, aktualisht është njëri ndër politikanët më të popullarizuar ndër shqiptarët e Maqedonisë e Veriut! Tek shqiptarët sikur vlen shumë thënia e Isa Boletinit se “Unë jam mirë kur mirë është Shqipëria“. Edi Rama, njëjtë si edhe shumë politikanë të rajonit dhe botës, është fenomen mediatik, ndërsa zotëron shkëlqyeshëm metodat e komunikimit politik, edhe pse shpeshherë fyen gazetarët, që nuk është praktikë europiane.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, edhe sot, në vitin 2021, janë sy e veshë kah Shqipëria, si edhe Kosova, duke u dëshiruar përparim më të madh në shumë plane. Derisa kjo ndodh, e djathta dhe e majta shqiptare vazhdojnë me qasjet e njëjta inerte ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut!

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 28 Prill, 2021 21:46