Ligji për shtetësi, takimi vlerësohet si pozitiv

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 31 Mars, 2021 13:53

Ligji për shtetësi, takimi vlerësohet si pozitiv

Takimi i përfaqësuesve të Qeverisë me përfaqësuesit e opozitës shqiptare në Kuvend nuk pati epilog por u cilësua si hap pozitiv në të cilin palët shpalosën argumentet dhe kundërargumentet që do të shqyrtohen brenda pak ditëve. Në më pak se një javë, palët do të takohen përsëri për të konkretizuar pozitat e tyre. Deklaruan se kanë detektuar pikat e dobëta në procesin e marrjes së shtetësisë.

Në këtë mënyrë do të konfirmojmë të gjithë se jemi për zgjidhje afatgjate që qytetarët tanë që nuk kanë shtetësi të fitojnë shtetësi, por kjo të jetë sipas konventave evropiane për shtetësi, sipas rregullativës ndërkombëtare për shtetësi dhe zgjidhjes afatgjate për shtetësinë. Duhet t’i shikojmë edhe çështjet tjera, vlerësimet e ASK-së për siguri gjatë dhënies së shtetësisë, sa është subjektive dhe sa nuk është – deklaroi Zoran Zaev, kryeministër.

Vetë kryeministri ishte ai që tha se nuk ka nevojë për tre dëshmitar, mjafton një dëftesë e njërit prej anëtarëve të familjes së aplikuesit. Këtë kërkesë e paraqitëm ne dhe besojmë se ata do ta pranojnë. Këtë kompromis ne do ta kishim bërë, gjithmonë në interes të atyre të cilët kanë nevojë. Një sërë dokumentesh do të ishin të mjaftueshëm t’i paraqesë aplikuesi. Përveç dëftesës mund të jetë ndonjë dokument i rrymës ose ndonjë tjetër që e lidh me vendin aty – tha Skender Rexhepi, koordinator i grupit parlamentar të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës.

Ndërkohë koalicioni opozitar ASH-AAA do ta diskutojë problematikën edhe me VMRO-DPMNE-në dhe “Të majtën” që kanë dorëzuar amendamente. BDI-ja vlerëson se ka nevojë për ligj të ri.

Ne po diskutojmë për ligj të ri. Jo rrallë herë por shpesh herë edhe opozita shqiptare ka ftuar që të ulemi dhe më vjen mirë që sot kanë reflektuar që të ulemi të diskutojmë për zgjidhje sistemore, juridiko-ligjore të kësaj kategorie të qytetarëve – u shpreh Arbër Ademi, koordinator i grupit parlamentar të BDI-së.

Sipas Ademit, gjatë qeverisjes së kësaj partie janë dhënë 13 mijë shtetësi dhe rreth 2 mijë e 600 kërkesa janë në procedurë. Numri i personave pa shtetësi, siç thonë nga BDI, janë më të ulëta se sa thotë opozita

Nga ana tjetër, Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e fundit ka theksuar problemin me mospasjen e shtetësisë në vend. Aty thuhet “Pavarësisht nga disa masa parandaluese për të zvogëluar pashtetësinë, nuk ka asnjë mekanizëm për të identifikuar dhe përcaktuar pashtetësinë në vend, nuk ka status mbrojtjes për personat pa shtetësi, as ndonjë rrugë tjetër për marrjen e shtetësisë për këto persona”. Sipas DASH-it, “mbeten boshllëqe të konsiderueshme që pengojnë përparimin e vendit drejt pajtueshmërisë me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e personave pa shtetësi dhe parandalimin e pashtetësisë.” Alsat

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 31 Mars, 2021 13:53