Ligji i VMRO-së (anti)Kushtetues!

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 17 Mars, 2021 14:19

Ligji i VMRO-së (anti)Kushtetues!

 Debat serioz dhe jo impulsiv, ftojnë gjykatësit kushtetues dhe profesorët universitar pasi në opinion u hap tema nëse duhet t’u ndalohet deputetëve në Parlament të posedojnë dy shtetësi. Debati filloi pasi zëvendëskryeministri bullgar, Krasimir Karakaçanov, publikoi një listë me emra dhe mbiemra, në të cilën u gjendën edhe disa deputetë të VMRO-DPMNE-së opozitare, të cilët – siç potencoi Karakaçanov, kanë të drejtë vote në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen atje, që domethënë se kanë edhe shtetësi bullgare. Pasi këto emra që publikoi Karakaçanov përgënjeshtruan se kanë pasaporta bullgare, VMRO-DPMNE propozoi Ligj që deputet të mos mundet të jetë personi që ka dy shtetësi. LSDM mbështeti nismën e VMRO-së, ndërsa nga BDI vlerësojnë se ky propozim-ligj është antikushtetues.

Sipas profesorit universitar, Mersim Maksuti, një ligj eventual me të cilën do t’i ndalonte dikujt që ka dy shtetësi të kandidohet për ndonjë funksion, është antikushtetues. Edhe Ligji dhe Kushtetuta obligon të kenë shtetësi maqedonase, por nuk ndalon të kenë dhe shtetësi tjetër, shton ai, duke potencuar se shteti lejon të kenë më shumë shtetësi dhe është absurde t’ju ndalohen ushtrimi i ndonjë funksioni konkret.

“Çështja e rregullimit te shtetësisë paraqet një të drejtë sovrane të çdo shteti që vetë të përcaktojë kushtet dhe politikat e fitimit apo kufizimit te saj. Propozimi i Ligjit nga VMRO që deputetëve të Parlamentit t’ju kufizohet e drejta vetëm në një shtetësi, paraqet shkelje të Kushtetutës ngase lejon dy-shtetësinë për qytetarët e saj dhe se është në kundërshtim me një nga të drejtat e tyre kushtetuese e që është barazia formale para Ligjit për të gjithë, pra dhe deputetet si qytetarë të këtij vendi, ku u shkelet e drejta e tyre politike për t’u kandiduar në këtë organ përfaqësues. Kjo çështje mund të shtrohet vetëm pas hapjes se një debati më të gjerë për ndryshimin e Kushtetutës dhe për krijimin e bazës juridike që do të mund të shprehej interesi politik më qartë i shtetit lidhur me situatën e re të krijuar për anëtaret e rinj të Parlamentit të RMV-së”, ka deklaruar për KOHA, Mersim Maksuti, profesor universitar.

SHEMBULLI I ASK-së

Gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese, Osman Kadriu, propozim-ligjin e VMRO-DPMNE-së e komenton në disa këndvështrime, por të njëjtin nuk e sheh dhe aq kontestuese. Ai përmend shembullin në Agjencisë për Siguri Kombëtare ku Parlamenti kishte sjell Ligj që të punësuarit në këtë institucion – të kenë vetëm shtetësinë e Maqedonisë së Veriut. “Kjo çështje mund të trajtohet si kontestuese, por edhe si jo kontestuese nga aspekti i Kushtetutës dhe kompetencat që ka Gjykata Kushtetuese. Është evidente se Kushtetuta e garanton të drejtën e shtetësisë, faktikisht të drejtën e një qytetari të Maqedonisë të ketë dhe një shtetësi tjetër, kjo domethënë është si parim. Është problemi se për disa funksione mund të parashikohet me ligj që personi konkret, i cili përcaktohet për ushtrimin e një funksioni, mendoj për funksione të eshalonit të parë apo të dytë, mund të përcaktohet se personat konkret të kenë vetëm shtetësinë e Maqedonisë. Këtë e kërkon ajo çfarë quhet ‘interesi shtetërorë’. Ne kishim një rast në Gjykatë. Parlamenti ka sjell një Ligj për të punësuar në ASK. Aty parashikohet të punësuarit, pa marrë parasysh pozitën që kanë në atë organ, duhet të kenë vetëm shtetësinë e Maqedonisë. Dhe çfarë ndodhi? Kishte iniciativë para Gjykatës Kushtetuese dhe e njëjta vendosi që Ligji është në përputhje me Kushtetutën meqenëse punohet për një veprimtari apo lëmi për të cilën kërkohen fshehtësi, kërkohen sekrete…, dhe mund të parashikon ligjdhënësi me Ligj konkret për fusha konkrete ku veprimtaria është e tillë që të mbrohen interesat e shtetit, që të ketë vetëm shtetësinë e Maqedonisë”, deklaroi Kadriu, ndërsa shton se nëse Parlamenti voton propozim-ligjin e VMRO-DPMNE-së, pikëpyetje është nëse ky ligj do të mund të rrëzohej nga Gjykata Kushtetuese.

“Ne, deri më tani, në periudha konkrete kemi pasur edhe funksionarë të eshalonit të parë që kemi pasur kryeministër me dy shtetësi, por mbizotëroi mendimi se për çështje konkrete – mund ligjdhënësi të përcaktohet se për struktura konkrete, personi në fjalë duhet të ketë vetëm shtetësinë e vendit. Nëse pranohet ky ligj dhe sillet nga Parlament, pikëpyetje do të ishte nëse do të mund të rrëzohej Ligji në fjalë nga Gjykata Kushtetuese”, ka deklaruar për KOHA, Osman Kadriu, Gjykatës në Gjykatën Kushtetuese.

NË BE, NDALESA KA VETËM NË BULLGARI DHE LITUANI

Politika e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në raport me dyshtetësinë dalëngadalë po bëhet më liberale. Sipas bazës së të dhënave nga qendra universitare evropiane në Firence, vendet që lejojnë dy shtetësi, ndërsa vendet që ndalojnë kandidimin në zgjedhjet nacionale (parlamentare) janë Bullgaria dhe Lituania. Atje, personat me dyshtetësi mund të votojnë në zgjedhje, por nuk mund të kandidojnë për të qenë deputetë në Parlament apo funksion tjetër publik.  Nga vendet evropiane, politikani gjerman Dejvid Mekalister, anëtarë i partisë së kancelares Angela Merkel dhe eurodeputet, përveç shtetësisë gjermane – ka dhe shtetësi britanike.

Edhe shtete tjera jashtë Bashkimit Evropian lejojnë persona me dyshtetësi të ushtrojnë pozicione shtetërore. Për shembull, në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Zelandë e Re dhe vende tjera, nuk ka asnjë pengesë dikush të jetë i zgjedhur për deputet nëse ka më shumë se një shtetësi. Në SHBA, Ted Kruz ka pasur edhe shtetësi kanadeze kur u zgjodh si senator i Teksasit, ose aktori Arnold Shfarceneger, i cili ishte guvernatorë i Kalifornisë dhe i njëjti ka dhe shtetësi austriake. Këto ditë debat në opinion nxiti dhe dyshtetësia e përfaqësuesit maqedonas në Eurovizion, Vasil Garvanliev, i cili tha se ka shtetësi bullgare, dhe më pas u organizuan peticione online që i njëjti të tërhiqet si përfaqësues. Por edhe në Eurovizion nuk është i ndaluar që një vend të përfaqësohet nga një person që ka shtetësi të një vendi tjetër. (koha.mk)

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 17 Mars, 2021 14:19