Liderët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut urojnë Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 4 Prill, 2021 20:35

Liderët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut urojnë Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani

“Gëzohem që sot deputetët e Kosovës arritën të rrumbullakësojnë konsolidimin e institucioneve të vendit si rezultat i vullnetit të qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e 14 shkurtit. Zgjedhja e Presidentes së Republikës së Kosovës është një lajm i mirë për të gjithë dhe unë i uroj zonjës Osmani shumë shëndet, durim e guxim në punën e saj të cilën shpresoj që do ta realizon vetëm me suksese”, uron lideri i BDI, Ali Ahmeti, percjell Lobi

Tek ne, shton ai, do të gjeni dorë të shtruar vëllazërore për bashkëpunim dhe mbështetje të sinqertë pa u kursyer për asnjë çast.

“Çdo sukses i Kosovës më gëzon, prandaj dhe përgëzoj të gjithë qytetarët për përfundimin e procesit të zgjedhjes së përbërjes së Kuvendit, Qeverinë e re dhe sot edhe Presidenten e re të Kosovës”, shkruah Ahmeti.

Edhe Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka uruar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.

”Kuvendi i Kosovës sapo zgjodhi Presidenten e Republikës së Kosovës Zonjën Vjosa Osmani duke kurrorizuar me sukses konsolidimin dhe ndërtimin e instititucioneve më të rëndësishme të Kosovës

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani edhe në të kaluarën ka dëshmuar kapacitete te larta politike, intelektuale dhe shtetndërtuese, dhe si rrjedhojë e kontributit politik qytetarët e Kosovës e përkrahën masovikisht atë dhe listën e saj që përfaqësonte.

Urojmë që Vjosa Osmani, si Presidente e Kosovës ta ushtrojë këtë pozitë në mënyrën më të mirë të mundshme në shërbim të unitetit politik dhe krijimit të konsenzusit politik saherë që do të jetë i nevojshëm ai për interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Përgëzime edhe shumicës së deputetëve të LDK, që dëshmuan konstruktivitet dhe maturi politike duke i ndihmuar procesit të zgjedhjes së Presidentes se Kosovës dhe duke pamundësuar një krizë të re politike

Në emrin tim dhe të Aleancës për Shqiptarët, urimet më të sinqerta Presidentes se Kosovës Zonjës Vjosa Osmanit, dhe gjithë qytetarëve te Kosovës për zgjedhjen e Presidentes së Kosovës!” – shkruan Sela.

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami uron Vjosa Osmanin për zgjedhjen e saj si presidente e Kosovës.

“Institucionet funksionale dhe legjitime janë parakusht i zhvillimit të një shteti bashkëkohor. Sot Parlamenti i Republikës së Kosovës me zgjedhjen e Presidentes Vjosa Osmani përforcoi bindjen e mëhershme për avancimin e institucionalizimit dhe kulturës demokratike.

Në emrin tim dhe të Lëvizjes BESA uroj Presidenten Vjosa Osmani dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, me dëshirën që ky mandat të shënoj arritjet më të mëdha të shtetit në drejtim të anëtarësimit në NATO dhe BE, si dhe zhvillimit të brendshëm!”, thuhet në urimin e Kasami.

“Zgjedhja e znj. Vjosa Osmani Sadriut në postin e Presidentit të Republikës së Kosovës është lajm i mirë jo vetëm për ndërtimin e institucioneve shtetërore, por edhe mirënjohje e përkthyer në post për personalitetin më të votuar në Kosovë në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti.

Përveç kësaj, Vjosa Osmani është edhe dëshmi e avancimit të pozitës së gruas shqiptare dhe gatishmërisë së saj për t’u prirë institucioneve më të larta shtetërore.

Në emrin tim dhe në emër të Alternativës ia uroj zgjedhjen në këtë detyrë znj. Osmani dhe uroj që ajo të jetë përfaqësimi më autentik dhe më dinjitoz i Kosovës dhe i interesave të qytetarëve të saj.

Si vend fqinj, por aq më shumë si shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, jemi të lumtur me këtë zgjedhje, ndërsa urojmë që shembujt e këtillë të reflektojnë edhe në mjedisin tonë politik. Urime!”, thuhet në Urimin e Afrim Gashit. LOBI

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 4 Prill, 2021 20:35