Lamtumira për Cimën me vlerësime për jetën dhe veprën e tij

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 27 Mars, 2021 21:06

Lamtumira për Cimën me vlerësime për jetën dhe veprën e tij

Ibrahim Arsllëni u është bashkuar shumë qytetarëve që të shtunën nderuan jetën dhe veprën e humoristit Rasim Thaçi–Cima, i cili vdiq një ditë më parë.

Vdekjen e Cimës, 66-vjeçari e ka vlerësuar si humbje të madhe për artin dhe sportin e Kosovës.

“Programin të cilin ata e kanë bërë humoristik në atë kohë, çdo serial ka qenë pasqyra e shoqërisë në atë kohë, ka pasur një ndikim të madh për shikuesit dhe qytetarët. Me të vërtetë ka qenë artist i veçantë”, ka deklaruar ky qytetar.

Një mesazh të veçantë në librin e përkujtimit e ka lënë një nga miqtë e afërt të humoristit.

“Vdekjet e tilla na vetëdijesojnë dhe kur të ndodhin ato atëherë e kuptojmë se ku kemi mbërri. Ishim miq dhe të afërt në shumë pikëpamje, prandaj u trondita shumë kur dëgjova për vdekjen e Cimës. Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës dhe ne së shpejti do të bashkohemi në atë botë ku tani do të pushosh”.

Si artist i rrallë e i paharrueshëm, Cima u vlerësua nga bashkëpunëtorë të tij të afërm.

“Ai nuk ka vdekur, as ai as Leci, ata do të jetojnë në zemrat e popullit se bënë shumë për popullin në kohën më të vështirën një popull të vuajtur e bënë me qesh”, u shpreh Sevdai Radogoshi-Qumili.

Homazhe pranë fotografisë së vendosur para Teatrit Kombëtar në Prishtinë kanë bërë edhe krerët e shtetit dhe liderë të partive politike.

Varrimi i artistit që e humbi betejën me koronavirus është bërë nga rrethi i ngushtë familjar në Vukovc, fshatin e tij të lindjes.

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 27 Mars, 2021 21:06