Kush frikohet nga regjistrimi i popullsisë? Përgjigjen gazetarët

Linda Limani
Nga Linda Limani 25 Mars, 2021 10:38

Kush frikohet nga regjistrimi i popullsisë? Përgjigjen gazetarët

Opozita maqedonase ka vazhduar thirrjet për anulimin e procesit të regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut. Regjistrimi të anulohet menjëherë, regjistrimi duhet të anulohet, asnjë shtet në botë nuk i regjistron mërgimtarët. Deklarata të tilla po jepen ditëve të fundit nga liderët dhe përfaqësuesit e partive politike maqedonase në opozitë, shkruan Lobi – Maqedoni.

“Shëndeti i qytetarëve nuk duhet të jetë peng i Zaevit, Filipçes dhe Simovskit. Regjistrimi të anulohet menjëherë. Do të përgjigjeni”, është porosia e fundit nga lideri i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski.

Edhe Vlladimir Gjorçev nga VMRO-DPMNE shprehet që Zaev për shkak të premtimit ndaj BDI-së se do të zbatojë regjistrim në kundërshtim me Eurostat dhe Kombeve të Bashkuara dhe do të kemi 2.000 ose 2.500 viktima nga koronavirusi.

Më i drejtpërdrejt ishte lideru i partisë E majta, Dimitar Apasiev i cili u shpreh që në pandemi nuk duhet të bëhet regjistrimi i popullsisë. Ai thotë se asnjë shtet në botë nuk regjistron mërgimtarë. Dhe pikërisht tek mërgimtarët duket që qëndron problemi kryesor i opozitës maqedonase.

Thirrjet e tilla nga ana e partive opozitare maqedonase, për gazetarët e konsultuar nga LOBI shihet si frikë nga organizimi i mërgatës shqiptare.

Gazetari Urim Saliu shprehet që opozita maqedonase akoma nuk mund të çlirohet nga e kaluara e tyre kundrejt shqiptarëve dhe në këtë vijë ndërlidhet edhe çështja e regjistrimit të popullësisë.

Urim SALIU

“Thirrjet e tyre ditëve të fundit për një ndërprerje janë rezultat i mobilizimit të shqiptarëve sidomos në diasporë dhe që këtë ata nuk e kanë pritur se do ndodhë dhe këtu bashkërisht është edhe frika e tyre për përqindjen e shqiptarëve që kësaj rradhe nuk është në favorin e tyre pra palës maqedonase. VMRO por edhe e majta në këtë pikë janë në një linjë por që ata arsyetimin e ndërprerjes së këtij procesi statistikor dhe po aq edhe politik sepse ka shumë rëndësi për shqiptarët e gjejnë tek pandemia gjegjësisht vala e tretë e COVID , kinse rrezikohet shëndeti i qytetarëve”, beson gazetari Saliu.

Edhe gazetari Urim Hasipi thirrjet e opozitës maqedonase i përkufizon me përqindjen e shqiptarëve që do të rezullton nga procesi i regjistrimit.

Urim HASIPI

“Sigurisht që thirrjet e tilla ndërlidhen me shifrat që do të prodhon procesi i regjistrimit. Dhe jo rastësisht thirrjet vijnë nga eksponentë të VMRO-DPMNE. Kjo parti po mban rejting tek popullata maqedonase pikërisht duke kultivuar një qasje të tillë ndaj shqiptarëve, pa frymën antishqiptare. Një element tjetër është fakti që gati 200.000 maqedonas llogaritet që kanë pasaportë bullgare. Edhe ky fakt mund të ndikon dukshëm tek numri i përgjithshëm i popullsisë. Në VMRO-DPMNE nuk ka ndryshuar asgjë sa u përket shqiptarëve. Frymën antishqiptare të Nikolla Gruevskit po e trashëgon me fanatizëm edhe lideri aktual, Hristian Mickoski”, shprehet gazetari Urim Hasipi, sipas të cilit kjo parti druan nga shifrat e frikshme që pastaj do të detyrminojnë arritjen e një statusi të avancuar të shqiptarëve si popull shtetformues në Maqedoninë e Veriut.

Gazetari Mevludin Imeri shprehet që duke u fshehur pas pandemisw liderët po edhe zyrtarë të lartë nga opozita maqedonase tek të cilët vrehet qartë një dozë paniku, duke parë numrat që rriten dita dita ditës në diasporë, kanë kërkuar dhe vazhdojnë të kërkojnë anulimin e regjistrimit apo bojkotimin e të njëjtit nga ana e qytetarëve.

Mevludin IMERI

“Por, qytetatët nuk duhet të bijnë pre e këtyre thirrjeve. Është koha e fundit që ky proces i niusur me disa probleme të cilat dita ditës po tejkalohen, në diasporë nuk duhet ndalur, po as politizuar si nga kampi shqiptar po edhe ai maqedonas. Nuk duhet politizuar vetëm për një arsye, që kur të përfundoj, nëse përdundon të jetë më i besueshëm si për njërën ashtu edhe për palën tjetër. Sepse nëse politizohet edhe po të përfundoj, ky proces do të kontestohet nga opozita maqedonase e cila tashmë vetëm se po e konteston. Nuk duhet t’i japim shkas Mickoskit e të “Majës” që mos ta pranojnë këtë punë të shkëlqyeshme të vullnetarëve për mundin e dhënë dhe ndihmën ndaj mërgimtarëve”, thotë gazetari Imeri.

Në ndërkohë, lideri i partisë E Majta, Dimitar Apasiev, ka paralajmëruar angazhimin të një rrjeti avokatësh për ndihmë juridike falas në lidhje me regjistrimin, për të cilin ai është idhtar të mos mbahen, duke shtuar që nuk ka asnjë përgjegjësi penale për qytetarët nëse nuk regjistrohen.

Ndërkohë, nga Enti Shtetëror i Statistikave kanë deklaruar, se Regjistrimi do të vazhdojë. Deri në ora 8 të mëngjesit të sotëm, janë regjistruar gjithsej 140 mijë mërgimtarë. LOBI

Linda Limani
Nga Linda Limani 25 Mars, 2021 10:38