Kurti: Serbia nuk e njeh Kosovën e as Kosova-Serbinë

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 18 Maj, 2021 23:48

Kurti: Serbia nuk e njeh Kosovën e as Kosova-Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur pas takimit me liderët e Ballkanit Perëndimorë në Bruksel.

Fillimisht ai ka thënë se dialogu duhet të jetë i përgatitur mirë dhe duhet të ketë si epilog njohjen e ndërsjellë.

“Duam dialog të përgatitur mirë, parimor si palë të barabartë. Në të cilën natyrisht thelbi është ajo që e ka thënë jo vetëm lideri amerikan Joe Biden por edhe shumë liderë të tjerë botërore se zgjidhja e ka emrin në njohjen reciproke. Serbia nuk e njeh Kosovën e as Kosova-Serbinë por njohja është ajo që do të normalizojë raportet në Ballkan. Unë jam në fillim të mandatit, presidenti i Serbisë është ën fund të mandatit. Sic e dini ne kemi si parim reformimin e brendshëm në Kosovë për të cilën edhe më ka votuar populli i Kosovës”, ka thënë ai.

Tutje ai ka thënë se u ka bërë të ditur liderëve të shteteve më të mëdha europiane se Qeveria e tij nuk do të ketë asgjë të trashëguar nga Qeveritë e kaluara.

“Të gjithë ata e kuptojnë se pjesë e fitores sonë është edhe çështja e qëndrimit tonë karshi Serbisë, ndonëse ky nuk ka qenë prioritet i joni as në fushatë as në programin tonë qeverisës. Ata e kuptojnë se do të paraqesim qëndrimin tonë të ri dhe nuk kemi ndonjë trashëgimi që ia vlen. Kemi një dialog të ri ku Kosova tani është palë dhe ndërmjetësi apo facilatori është BE”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në darkën e kësaj së hëne të shtruar në Bruksel me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor ka ngritur çështjen e liberalizimit të vizave.

“Kam vënë theksin te çështja e nevojës për liberalizim të vizave, por kemi nevojë edhe për investime në ekonomi që në përgjithësi e zvogëlojnë imigrimin dhe risin punësimin. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të mund të ecin shumë më shpejt nëse i përmbahen tri vlerave tejet të rëndësishme: dekomratizimit, sundimit të ligjit dhe ballafaqimit me të kaluarën”, është shprehur Kurti, njofton KlanKosova.tv.

“Në Ballkanin Perëndimor kemi kriminel të luftës dhe paqes që dominojnë institucionet. Kjo duhet të marrë fund dhe kështu do të krijohen kushtet për më shumë shpresë në Ballkanin Perëndimor. Kemi përjetuar katër luftëra në Ballkan përgjegjësit për të cilat vazhdojnë të jenë të pajisur me pushtet politik dhe kjo duhet të marrë fund”.

Kurti ka thënë se në darka e radhës kurdo që të mbahet do të shtrohet në njërin nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 18 Maj, 2021 23:48