Këto janë 10 çështjet për të cilat PDK-ja kërkoi sqarim sot nga Kurti e Osmani

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 15 Mars, 2021 12:22

Këto janë 10 çështjet për të cilat PDK-ja kërkoi sqarim sot nga Kurti e Osmani

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kërkuar sqarime për dhjetë çështjet që i ka ngritur në takimin që ka pasur sot me kreun e LVV-së Albin Kurtin dhe u.d. e presidentes Vjosa Osmanin.

Hoxhaj, në një konferencë për media pas takimit, tha se për zgjedhjen e presidentit para se të flitet për personin, duhet të diskutohet për parimet që duhet t’i ketë presidenti, ndërsa theksoi nevojën për unitet, transmeton Zeri.info.

Ai ka treguar se ka kërkuar sqarime nga Kurti e Osmani për dhjetë çështjet që i ka ngritur në këtë takim, për çka tha se për disa ka marrë përgjigje të plota e për disa të tjera të paqarta.

“Sjellja jonë në raport me formimin e institucioneve të reja varet prej dhjetë qëndrimeve, të cilat i kemi ngritur në takim. Së pari, sa herë ka pasur zgjedhje të presidentit institucionet e Kosovës janë sulmuar dhe është goditur edhe vetë ndërtesa e Kuvendit. Ne kemi pyetur Kurtin se a distancohet ndaj një dhune të tillë. Së dyti, dialogu, që në të kaluarën Kurti e Osmani kanë thënë se pa kërkuar falje Serbia e pa u gjetur të pagjeturit nuk ulen në tavolinë. Së treti, çështja e Asociacionit. Së katërti, edhe rishikimi i vijës kufitare. A do ta kthejnë kufirin në Zhleb e Qakorr? A e respektojnë Marrëveshjen e Washingtonit dhe tërësinë e saj? Cili është qëndrimi i tyre për Mini-Shengenin? Gjatë qeverisë ‘Hoti’ është suspenduar politika e jashtme, duke hequr dorë nga anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare. Cili është qëndrimi i tyre? Po për reciprocitetin me Serbinë çfarë do të bëhet?”, ka thënë Hoxhaj pas takimit.

Ai tha se do ta diskutojnë me organet e PDK-së dhe do të dalin me një qëndrim se cila do të jetë qasja tyre në raport me formimin e institucioneve.

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 15 Mars, 2021 12:22