Kërkohet ilaç për korrupsionin

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 22 Mars, 2021 16:21

Kërkohet ilaç për korrupsionin

Furnizimet publike janë burim potencial i korrupsionit dhe rrënojnë sundimin e ligjit, andaj edhe anulimi i korrupsionit të mundshëm në furnizimet publike, paraqet një nga reformat kryesore që duhet të ndërmerren në procesin e negociatave që do të hapen ndërmjet Maqedonisë dhe Komisionit Evropian. Kërkohet gjetja e ilaçit për korrupsionin në furnizimet publike në kuadër edhe të metodologjisë së re për nisjen dhe vazhdimin e procesit paraqasës për anëtarësim në BE. Kjo ishte një nga porositë në debatin kushtuar rreziqeve të korrupsionit në vend, ku morën pjesë më shumë institucione, organizata, si dhe ambasada të huaja, ku u prezantuan edhe propozimet për uljen e korrupsionit si dhe avancimin e realizimit të furnizimeve publike. Gjithashtu, një sërë dobësish janë konstatuar në harxhimet e ndërmarrjeve publike. Po realizohen furnizime me çmime më të larta se ato të tregut. Ka edhe marrëveshje që kontraktohen pa shpallje paraprake dhe me vetëm një ofertues, ndërsa i shpeshtë edhe anulimi i tenderëve.

Njëherësh përforcimi i integritetit, përmirësimi i procesit të realizimit, rritja e transparencës dhe identifikimi dhe sanksionimi i korrupsionit në furnizimet publike, janë katër propozimet për uljen e korrupsionit në furnizimet publike në ndërmarrjet e themeluara nga qeveria dhe komunat.

Gjetjet e hulumtimit që e ka realizuar Qendra për Komunikime Qytetare tregojnë se ndërmarrjet publike nuk punojnë për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Sabina Fakiq nga kjo qendër thotë se perceptimi i qytetarëve se ndjekja e korrupsionit në furnizimet publike është jo e suksesshme, është e arsyeshme, për shkak të rasteve të vogla që përfundojnë me procedura gjyqësore dhe fitojnë vendime të plotfuqishme gjyqësore me sanksione të përcaktuara.

“Dy të tretat apo 70 për qind e tyre asnjëherë nuk kanë kryer vlerësimin e rreziqeve nga korrupsioni në furnizimet publike. Udhëheqja e këtyre ndërmarrjeve në tre vitet e kaluara, as nuk kanë parashtruar asnjë nismë për ngritjen e procedurës penale për dyshime ndaj korrupsionit në furnizimet publike”, thotë Fakiq. Sipas saj, qeveria dhe komunat duhet të nxisin këtë proces, dhe me të drejtë presim që këtë proces ta udhëheqin ndërmarrjet publike që realizojnë furnizime publike prej qindra miliona euro.

Në ndërkohë, ambasadori i Holandës në Maqedoni, Jan Kop, vlerëson se anulimi i korrupsionit në furnizimet publike paraqet një nga reformat kryesore që shteti duhet të zbatohen në negociatat për anëtarësim në BE. Ai thekson më tej se si zakonisht, ryshfeti është puna e parë që ju kujtohet njerëzve kur flitet për korrupsionin, por shton më tej ai, korrupsioni ka një kuptim shumë më të gjerë dhe kuptimi kolektiv për të është një seri e aktiviteteve ilegale për të cilin janë përgjegjës edhe ai që jep, por edhe ai që pranon atë. “Furnizimet e pastra publike në një masë të dukshme e ndikojnë ndaj cilësisë së jetesës së qytetarëve, si dhe ndaj zhvillimit ekonomik të vendit. Andaj, edhe sistemi efektiv i furnizimeve publike është pjesë përbërëse e udhërrëfyesit të Maqedonisë së Veriut ndaj BE-së. Pra, nuk duhet të befasohemi se kjo fushë është e para në klasterin ‘fundamentet’ konform metodologjisë së re për zgjerimin e BE-së”, thotë Klop.

Sipas tij, qeveria po ndërmerr një pjesë të madhe të 17 rekomandimeve për uljen e korrupsionit në furnizimet publike dhe avancimin e realizimit të tyre në planin aksional për luftën ndaj korrupsionit, megjithatë nevojitet vendosja e një mekanizmit të integritetit dhe kontrollit shton ai. Nga Komisioni Anti-Korrupsion thonë se për shkak të faktorit njeri në procedura, është i madh edhe potenciali për korrupsion. Nga atje shtojnë se ligjet mund të jenë shumë të mira, por megjithatë faktori njeri është kryesori për zbatimit si duhet apo jo të ligjit, si dhe kërkimit të lëshimeve në ligj. “Faktori njeri, apo subjektiviteti, është vendimtar për realizimin e drejtë apo jo të drejtë të Ligjit për furnizime publike, dhe kërkesave për lëshimet në ligj apo për zbatimin parimor dhe transparent të furnizimeve publike, që e ul edhe rrezikun nga korrupsioni”, thotë numri një i Anti-Korrupsionit, Biljana Ivanovska.

Sipas saj, edhe numri i madh i ndërmarrjeve publike dhe shoqatave aksionare të themeluara nga qeveria e që menaxhojnë mbi 300 milionë euro furnizime publike në vit, kanë të ardhura prej më shumë se 800 milionë euro në vit dhe punësojnë mbi 30 mijë të punësuar, udhëzon se ekziston potencial i madh për korrupsion për shkak se faktori njeri është kryesor në vlerësimin e vlerës së tenderëve dhe kritereve të ofertuesve. Andaj edhe ndodh që kemi përqendrim të furnizimeve publike vetëm tek disa kompani të caktuara, kemi procedura jo transparente… Nga Byroja për Furnizime Publike, thonë se ankandet elektronike nuk i kanë dhënë rezultatet e pritura.

“Në kontekstin e uljes së rreziqeve të korrupsioni dhe rritjes së integritetit në procesin e furnizimeve publike, ne si institucion mbetemi të hapur ndaj bashkëpunimit të mëtejshëm me të gjitha palët në luftën kundër korrupsionit. Një vëmendje të veçantë do ti kushtojmë përforcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional me faktorët kryesor të luftës kundër korrupsionit, dhe sidomos Komisionit Anti-Korrupsion, Entit Shtetëror të Revizionit dhe Komisionit Shtetëror për ankesa ndaj furnizimeve publike”, thotë Borçe Haxhiev, drejtor i Byrosë për furnizime publike

Ndryshe Qendra për Komunikime Qytetare sugjeron ndër të tjerash të identifikohen rreziqet e korrupsionit, të punojnë me rotacione anëtarët e komisioneve për furnizime publike, ankandi elektronik të zbatohet vetëm për mallrat e konsumit të gjerë, si dhe ulet në minimum procedura për negocim pa publikim paraprak të shpalljes publike. Njëherësh sugjerohet që të mos anulohen shpesh furnizimet publike, si dhe ofrohet arsyetim për një hap të tillë. (koha.mk)

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 22 Mars, 2021 16:21