Karakaçanov uroi me hartën e Bullgarisë së Madhe
Urim për 8 marsin me hartë në të cilën përfshihet gjithë territori i Maqedonisë, një pjesë e Greqisë Veriore, Serbia juglindore dhe një pjesë e Shqipërisë, publikoi zv.kryeministri bullgar Krasimir Karakaçanov.
Në profilin e tij të facebook-ut në hartën e publikuar që e mban logon e partisë së tij VMRO BND shkruan: traditë, familje, vlera, Bullgaria mbi të gjitha.
Për presidentin e shtetit, kjo është shkelje e hapur e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë.
“Presidenti Pendarovski, në lidhje me deklaratat e tilla që vijnë nga Sofja çdoherë ka theksuar se paraqesin shkelje të hapur të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe thyerje e besimit mes dy shteteve dhe popujve”, tha Stevo Pendarovski – President i Maqedonisë së Veriut.
Presidenti shton se veprimet e tilla janë në kundërshtim me parimet themelore dhe vlerat e NATO-së në të cilën të dy shtetet janë anëtare të barabarta.
Për Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim mes RMV dhe R. Bullgarisë, e nënshkruar nga kryeministrat Zoran Zaev dhe Bojko Borisov në vitin 2017, në nenin 11 paragrafin 3 thuhet se “të dy palët nuk kanë dhe nuk do të kenë pretendime territoriale ndaj njëra tjetrës”.
Kjo nuk është hera e parë që Karakaçanov të dalë me deklaratë provokuese të cilat vetëm “nxisin zjarrin” mes dy vendeve. Deri më tani zyrtarisht vendi jonë nuk ka reaguar për asnjë nga deklarata e tija.