Informata të tjera rreth arrestimit të mjekut nga Gostivari

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 23 Mars, 2021 12:58

Informata të tjera rreth arrestimit të mjekut nga Gostivari

Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë, ka dhënë informata plotësuese rreth arrestimit të mjekut nga Gostivari. Ashtu siç u bë me dije, dje rreth orës 15:30, në Çegran të Gostivarit, pjestarët e policisë e kanë privuar nga liria personin E.M. (45) nga ky fshat, punonjës në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit “Ferid Murad”, njofton LOBI

Sipas informatave jo zyrtare që posedon LOBI mjeku ka qenë i punësuar në Repartin Infektiv në Spitalin e Gostivarit. Ky i fundit është arrestuar nën dyshimin e kryerjes së veprës penale (“keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”). Saktërisht, personi në fjalë dyshohet se më datë 7 dhe 9 të këtij muaji, si mjek në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit “Ferid Murad”, ka përgatitur “teste negative PCR” false për dy persona dhe për të njëjtat kanë paguar njëri 3000 kurse tjetri 1500 denarë ose gjithsej 4500 denarë, të cilëve ju nevojiteshin për udhëtime jashtë vendit.

“I njëjti është i dyshuar për përgatitjen dhe lëshimin e “testeve të rejshme PCR” negative për individë, në këmbim të të cilave ai ka marrë një shumë të caktuar parash. Personi në fjalë është ndaluar në Stacionin Policor Gostivar dhe po merren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e çështjes, pas së cilës kundër tij do të përgaditet parashtresë adekuate”, njofton Fatmir Rexhepi, zëdhënës në SPB – Tetovë.

Pas arrestimit, Sektori për Punë të Brendshme Tetovë- Departamenti i Punëve të Brendshme Gostivar, sot ngriti padi penale kundër personit E.M. (45) nga Çegrani i Gostivarit, deri në Prokurorinë Themelore Publike Gostivar, për shkak të dyshimit se ai ka kryer vepër penale “abuzim i pozitës zyrtare dhe autorizimeve ”, i dënueshëm sipas nenit 353 të Kodit Penal. LOBI MAQEDONI

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 23 Mars, 2021 12:58