Heshtje dhe mall

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 19 Mars, 2021 21:43

Heshtje dhe mall

Heshtje dhe mall

Kot të prita n`sheshe bote n`kënde rruge kot të prita

Se ti erdhe përmes gote që sakaq me fund e ngrita,

Pastaj heshtje asgjë tjetër, asnjë zhurmë asnjë zë

Ndaj harresa kaq e vjetër bëhet sa një shekull më.

S`di ku humbën fjalët tua, ti më the, “mos pi raki”

N`vend të saj te një krua do t`më japish pakëz gji,

Se do vinje si një Zanë, si te Muja i plagosur

Gjersa jeta aty pranë t`gjitha rrugët mi ka sosur.

E kur sipër kësaj loje si mbi shpinën e një mali

Hëna do të bënte roje me shkëlqimin që ia fali

Ky vegim që sot arrita ta kopjoj nga sytë e tu

Në mëngjes kur t`hapet drita ti do t’ikish nga këtu.

Me një ikje të marrosur dhe me shiun nëpër sy

Me do lot që ke varrosur nën qerpik aty me dry,

Do të ikish përtej vitesh që të kthehesh kaq e re

Se ti s`je një Zanë mitesh por një ëngjëll përmbi dhe…

XHELAL ADEMI

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 19 Mars, 2021 21:43