Gruaja që ‘shpiku’ sitkomin dhe transformoi televizionin

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 19 Mars, 2021 22:49

Gruaja që ‘shpiku’ sitkomin dhe transformoi televizionin

Më 1948, shumica e njerëzve të botës së spektaklit nuk donin që të kishin punë me televizionin, shkruan Jennifer Keishin Armstrong për BBC-në.

Televizioni komercial po fillonte t’i merrte këmbët, dhe askush s’e dinte çfarë të bënte bash me tërë ato orë transmetimi. Shfaqjet ishin të buxhetit të ulët, bazike, dhe rrallë herë ishin plotësisht me skenar. Gjithçka transmetohej LIVE. Vetëm dy për qind e popullatës amerikane zotëronin televizorë, që ishte tejet i shtrenjtë (një model 12sh kushtonte 985 dollarë, apo mbi 10 mijë dollarë të ditës së sotme). Programet përfshinin Gillette Cavalcade of Sports (për boks), emisionin me instruksione You Are an Artist, shoun për fëmijë Kukla, Fran and Ollie. Kukullat ishin në trend atëbotë – të thjeshta, të lira dhe relativisht pagabueshme. Bile kukullat nuk kërkonin të paguheshin.

Radio ylli, Gertrude Berg, pa këtë tollovi dhe deshi të futej aty. Dëshpërimisht. Ajo qe bërë një prej zërave më të famshëm në SHBA me emisionin e saj në radio, Goldbergët, të cilin e kishte krijuar, shkruar e në të cilin kishte luajtur për 17 vjet, shumicën prej tyre në rrjetin e radios, CBS. Ajo e luante Molli Goldbergun, një nënë e dy fëmijëve, që i fuste hundët gjithmonë, ishte e ëmbël por kategorike. Familja rronte në banesat kolektive të Bronksit dhe ballafaqohej me telashe të parëndësishme që lindnin mes familjarëve, fqinjëve dhe miqve. Përgjatë Depresionit të Madh dhe Luftës së Dytë Botërore, Molli ishte bërë sensacion prej radio-komedie. Ajo ishte votuar gruaja e dytë më e besueshme në SHBA, duke u renditur pas Zonjës së Parë, Eleanor Roosevelt.

Në të 1948-ën, sidoqoftë, emisionit të saj në radio i erdhi fundi natyrshëm, pasi që fëmijët që e kishin dëgjuar ishin rritur e larguar. Tash kur televizioni qe paraqitur në fushëpamje, ajo kishte një ide: Çka nëse ajo do t’ia niste nga e para, por kësaj radhe në televizion? Ajo ishte gati 50 vjeç, por s’e kishte dert. Ajo e mendonte: si mund të bëhej televizioni zgjedhës nëse do të mund ta merrte në radhët e veta një yll kaq të madh?

Andaj, ajo vajti në zyrën e William S. Paley-t, një njeri i fuqishëm dhe joshës që ishte në krye të radios dhe televizionit të CBS-it, dhe kërkoi që t’i jepej shansi në televizion. Ideja e saj ishte refuzuar nga televizionet e tjera – ABC, NBC dhe një rrjet i katërt televiziv  i udhëhequr nga prodhuesi i televizorëve  DuMont – dhe ishte refuzuar një herë edhe nga Paley po ashtu. Por tash ajo ia kujtoi: e kishte ndihmuar Paley-n që ta mbante gjallë radion e tij përgjatë Depresionit. E meritonte një shans.

Këtë herë, në vjeshtën e 1948-ës, ai u dha. Kjo rezultoi me serinë e parë komike televizive. Goldbergët dhanë modelin për projektet që zakonisht  njihen si sitkomët e parë familjarë klasikë, si Father Knows Best dhe Leave It to Beaver. Por, në disa aspekte kryesore, emisioni i saj nuk ishte fort si klasikët me familje të bardha të klasës së mesme që erdhën pas saj: ajo nënvizonte me fort krenari hebraizmin e familjes së saj televizive, duke përfshirë edhe ushqimet e hebrenjve, festat e tyre, dhe shënjuesit më të gjerë kulturorë – familjes i shkohej shumë në Pincus Pines, një destinacion fiktiv i Catskills. Ajo fliste me një aksent jidishi. Ajo na e dha frazën e parë të kapshme televizive: “Juhuuu, zotëri Blum” të cilën e bërtiste nga dritarja e banesës së saj kur donte të bënte thashetheme me fqinjën.

Berg ishte po ashtu pioniere edhe në një mënyrë tjetër: edhe para të famshmes Lucille Ball dhe emisionit të saj I Love Lucy që debutoi më 1951, ajo e kishte prodhuar dhe kishte luajtur ne emisionin e vet. Berg madje kishte shkuar edhe më larg, duke e shkruar tërë materialin vet, e njashtu edhe  pikat publicitare. Ajo u bë yll aq i madh televiziv sa që e kishte linjën e vetë të fustaneve të shtëpisë si dhe një libër të famshëm gatimi. Mirëpo, një përplasje me Listën e Zezë të Hollivudit e shkurtoi karrierën e saj premtuese televizive dhe gati sa nuk e shleu trashëgiminë e saj si nëna e parë hebraike e televizionit, një tregim që e shtjelloj në detaje në librin tim të radhës, Kur gratë shpikën televizionin, shkruan Keishin Armstrong, përcjell Klan Kosova.

Pasi Paley ia dha dritën e gjelbër, Goldbergët u transmetuan LIVE në CBS më 10 janar, 1949. Shou vinte theksin në mjetin qendror retorik – prindërit imigrantë dhe fëmijët e tyre të asimiluar – duke i përzgjedhur joçifutët si fëmijët Goldberg: Arlene McQuade si Rosalie në pubertet, dhe Larry Robinson si tinejxheri Sammy. Eli Mintz luante krahun e djathtë të Molly-t, Dajën David. Dhe burri i saj luhej nga Philip Loeb, një aktor teatri dhe aktivist i punës në shoubiz. Siç e do fati, kasti kryesor kishte aso kimie të menjëhershme në ekran e që e dimë që është kyçe në suksesin e gjatë të serive televizive – edhe pse në atë kohë askush nuk e dinte se si duket diçka e tillë. Ishin Berg dhe Loeb në veçanti që e formonin një çift mjaft të pëlqyeshëm dhe natyral televiziv.

Seria ishte ashtu si e përshkruan revista Life, “një hit i menjëhershëm në televizion…një klasik i kësaj fushe, Goldbergët përdorin një formulë bazike të rregulluar aq përshtatshëm për televizionin, mund t’iu prijë një numri të plotë serish shtëpiake televizive”. Kritiku i parë i madh televiziv i The New York Times, Jack Gould, e kishte thënë kështu: “Goldbergët arritën në televizion javën e kaluar, dhe ka dalë fjala këtë mëngjes që ata me shumë gjasë do të qëndrojnë për aq gjatë sa kanë vendosur”.

Si rezultat, seria shpejt bëri një sponsor, kafenë e shpejtë e të dekafeinuar, Sanka, dhe Bergu erdhi me një mënyrë menjemprehtë që ta promovonte: ajo vetë i shkruante reklamat e pastaj vetë i thoshte në rolin e personazhit të saj. (Atëkohë, emisionet shkruheshin nga një reklamues, që e kishte fjalën e vet edhe në vendimet kreative por edhe në mënyrën se si reklamat prezantoheshin në transmetim). Sekuencat  [e reklamave] që rezultuan, e që ishin të ndërthurura brenda vetë episodeve, ishin po aq të pëlqyeshme sa syzhetë. Ajo mund të predikonte se sa nervozë mund të ishin të gjithë mysafirët gjatë vizitës së fundit të familjes në Pincus Pines – deri kur ajo i njoftonte të gjithë me mrekullitë e Sankës: 97 për qind e kafeinës i hiqet”, thishte ajo,” edhe krejt çka mbetet brenda është gjumi”; blerjet e Sankës ishin rritur për 57 për qind mes shikuesve të saj.

Goldbergët ishin mes top programeve televizive në ranglistat e Hooper-it që ishte shërbimi i atëhershëm i matjes së audiencës. Seria u bë i pari ish-shou radioje që u arriti të jetë aq i popullarizuar në televizion, saqë u rikthye në radio si simulkast dhe u bë e para seri televizive nga e cila doli edhe një version filmi. Berg fitoi çmimin e parë Emmy të dhënë ndonjëherë për aktoren më të mirë, duke e mposhtur Betty White-n – një tjetër pioniere që udhëhiqte një emision ditor në Los Angeles, dhe e kishte prodhuar sitkomin e vet, Life with Elizabeth.

Berg e ngriti famën në një nivel të ri – në atë nivel që e bënte atë të njihej rrugëve, dhe jo vetëm të ishte një zë i mirënjohur. Ajo kishte qenë gjithmonë mjeshtre e vetë-mitizimit, duke e ndërtuar veten brenda një imazhi të përsosur të nënës hebraike. Tash e çoi lojën edhe më lart: e krijoi dhe promovoji linjën e vet të fustaneve të volitshme të shtëpisë edhe pse ajo vet blinte vetëm tesha të shtrenjta, gëzof, dorëza e kapela. Ajo ishte autore e një libri gatimi në zërin e personazhit të saj, edhe pse vetë nuk gatuante kurrë; ajo kishte një ndihmëse në shtëpi për këtë. Një titull hutues në një profil të saj më 1950 e përmblidhte me përsosmëri: “Gertrude Berg më shumë si Molly e saj e dashur se sa si vet”.

Censurimi

Bergu ishte rrugës për t’u bërë njëra prej legjendave të para të televizionit me Goldbergët. Por pastaj burri i saj televiziv, Philip Loeb, u përfshi në listën e të dyshuarve për komunistë në publikimin e 1950-ës, Kanalet e Kuqe, në të cilën listë ishin edhe emrat e 151 aktorëve, muzikantëve, shkrimtarëve dhe gazetarëve të radiotelevizioneve saqë grupi që qëndronte pas, Konsultuesit e Biznesit Amerikan, i konsideronte kërcënim për demokracinë amerikane – apo së paku ‘kontradiktorë’ mjaftueshëm për t’i frikësuar rrjetet radiotelevizive dhe reklamuesit që t’i marrin në punë. Sponsori i Goldbergëve, General Foods, që më parë ishte shumë i kënaqur me rezultatet sensacionale të Bergut me Sankën, kërkoi që Loeb të pushohej nga puna. Ajo kishte refuzuar, dhe madje në një moment kishte kërcënuar se do ta udhëhiqte një bojkot kundër korporatës. Për një kohë, General Foods dukej të ishte tërhequr, duke premtuar se nuk do ta fuste në listë të zezë asnjë të dyshuar për komunizëm, dhe mirëpriti Loeb-in që të vazhdonte me Goldbergët.

“Sistemi i Transmetimit Columbia mund ta mohojë, por a nuk duhet që shumica e të listuarve të  Kanalit të Kuq” ta shohin të  nevojshme që t’i fitojnë biskotat e havjarin në rrjete të tjera vjeshtën e ardhshme?” kishte shkruar Jack O’Brian në New York  Journal-American. “Përfshirë edhe Philip Loeb dhe Goldbergët?”.

Mirëpo, CBC pa kurrfarë ceremoni anuloi Goldbergët gjatë pauzës së verës 1951, duke pohuar se e kishin bërë për “arsye ekonomike”, edhe pse seria kushtonte vetëm 11 mijë dollarë për episod – një shumë mesatare , veçanërisht për një shou që hynte në top 20-she të asaj kohe. “

Berg kishte siguruar një ujdi për vete me rivalët, NBC, mirëpo kaluan muaj teksa ky rrjet provonte të siguronte sponsorë. Më në fund u bë e qartë: nuk do të kishte sponsorë, dhe kështu as Goldbergë, për aq gjatë sa Loeb ishte pjesë e marrëveshjes. Berg u zmbraps dhe u mor vesh me Loeb-in që asisoj që ta lejonte atë të largohej nga shou mirëpo ai të vazhdonte të paguhej për aq gjatë sa emisioni të emetohej. Berg dy herë zgjodhi zëvendësimin e Loeb-it – një herë Robert H Harris-in, e pastaj Harold J. Stone-n. Mirëpo kimia nuk ishte kurrë më e njëjtë, dhe koha sa nuk kishin qenë në transmetim ua kishte humbur momentumin Goldbergëve. Seria pluskonte në orarin e NBC-së deri sa përfundoi në rrjetin DuMont, dhe përfundimisht në sindikacion. Në të njëjtën kohë, I Love Lucy u dha premierë në CBS më 1951 të hënave mbrëma, pasi që fillimisht ishte menduar që të bëhej çift me Goldbergët, e që do t’i bënte formacionet e para televizive të fuqishme të sitkomeve. I Love Lucy u bë me fuqinë e vetë sensacion i menjëhershëm . Pastaj ylli i serisë, Lucille Ball, u bë legjendë.

Më 1955, Philip Loeb, në pamundësi për të gjetur punë dhe duke u zhytur në borxhe si pasojë e kujdesit për djalin e tij të sëmurë mendërisht, ai vdiq nga mbidoza e hapave të gjumit në Taft Hotel të Manhattan-it. Vdekja e tij u vlerësua gjerësisht si rezultat i drejtpërdrejtë i listës së zezë. Goldbergët  çalonin deri më 1957.

Bergu, që nuk zmbrapsej lehtë, rishpiku veten në fund të 1950-tave si aktore serioze dhe vazhdoi të shkruajë, duke kaluar skenën e Broadway-t. Ajo fitoi një çmim Tony më 1958 për performancën në dramën A Majority of One, që flet për një grua hebraike amerikane e cila dashurohet me një japonez në një anije pushimi teksa mban zi për vdekjen e djalit të saj në Luftën e Dytë Botërore. Berg vdiq prej zemrës më 1966 në moshën 66 vjeç. Ajo kishte qenë duke i përgatitur dy drama atë kohë.

Nuk pat më asnjë protagonist hebre në televizion deri më 1972, me serinë Bridget Loves Bernie, që trajtonte martesën mes një gruaje katolike dhe një burri hebre. Mirëpo edhe kjo seri ishte jetëshkurtër, dhe ishte “shumë hebraike”, term që u bë standard i refuzimit në dekadat që vijuan. Më 1969, kur producentët James L. Brooks dhe Allan Bruns ia propozuan CBS-it idenë që ta bëjnë personazh kryesor të serisë së tyre, The Mary Tyler Moore Show, një të divorcuar, ata po ashtu u prekën nga një dozë disi anti-semite: “Hulumtimet tona tregojnë që audiencat amerikane nuk i tolerojnë divorcet te protagonistët e serive  po aq sa s’i tolerojnë hebrenjtë, njerëzit me mustaqe, dhe ashtu ndodhi prapë edhe me refuzimin e parakohshëm të krerëve të NBC-së ndaj episodit pilot të Seinfeld më 1989: ‘Shumë nju-jorkez, shumë hebraik’.

Mund ta falënderojmë Gertrude Bergun që megjithatë e zbuti rrugën për serinë shumë hebraike të The Mary Tyler Show si dhe për personazhin shumë nju-jorkez të Rhoda Moirgenstern-it, për Seinfeld-in, për The Nanny-n, për Transparent-in, dhe për The Marvelous Mrs. Maisel.

Në fakt, personazhi i Sophie Lennon-it në Maisle, luajtur nga Jane Luynch, mund të shihet pak edhe si homazh ndaj Bergut. Sophie është një komediane që paraqet në skenë shtëpiaket e modës së vjetër dhe me aksent (fraza e kapshme: qite në pjatën tënde” por në fakt jeton në një shtëpi luksoze, vishet perfekt, dhe flet si një njujorkeze e klasës së lartë kur nuk është duke performuar. “A e kupton se kush jam, çfarë jam, për këtë punë?” ajo shpërthen në episodin e sezonit të tretë. Është koha që ta pranojmë Gertrude Bergun për atë që ajo ishte për biznesin e televizionit – dhe trashëgiminë e komedisë së saj që ende bën ballë.

Shkruan Jennifer Keishin Armstrong për BBC-në.

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 19 Mars, 2021 22:49