Gjysma e banorëve të Tetovës janë vaksinuar

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 2 Nëntor, 2021 09:48

Gjysma e banorëve të Tetovës janë vaksinuar

“Rritet interesimi për dozën e tretë edhe tek popullata më e re në rajonin e Komunës së Tetovës”. Kështu njoftojnë nga shtëpia e shëndetit në Tetovë dhe tek qendra e vaksinimit tek Muzeu i Tetovës. Qytetarët që marrin vaksinën vlerësojnë se vetëm me marrje të vaksinës do të mund të parandalohet përhapja e pandemisë që zgjatë tashmë dy vite.

“Pas marrjes së dozës së tretë, tash e kam marrë edhe dozën e tretë Fajzer dhe mendoj se vetëm me vaksinim dhe me masa mbrojtëse do të mund të kalojnë këtë pandemi”, thotë një banor i Tetovës që kishte marrë edhe dozën e tretë të vaksinës. Brenda ditës rreth 100 qytetarë marrin dozën e tretë të vaksinës.

“Kemi dhënë vetëm dozën e parë dhe të dytë, kurse tashmë kemi filluar edhe me dhënien e dozës së tretë. Kemi rritje të interesimit për marrjen e dozës së tretë tek mosha më e vjetër. Tek të rinjtë kemi më pak interesim, kurse mosha më e vjetër ka një interesim dukshëm të shtuar për marrjen e dozës së tretë. Gjatë një ndërrimi dozën e tretë e marrin rreth 100 persona tek kjo pikë e vaksinimit”, thotë mjekja Teuta Emini, nga pika e vaksinimit tek ish shtëpia e armatës në Tetovës.

Nga shtëpia e shëndetit në Tetovë theksojnë se në fillim kishte një interesim më të vogël për dozën e tretë, por sikurse kalon koha rritet interesimi tek qytetarët.

“Në fillim kishim shumë pak të interesuar për dozën e tretë, por tash vërejmë se kemi një rritje të interesimit tek mosha më e vjetër. Nuk ka ndonjë dallim kohëve të fundit për sa i takon moshës, pra tek të gjithë moshat ka një rritje të interesimit ditëve të fundit”, thotë Borisllav Jorgaqieski, drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Tetovë. Sipas të dhënave, rreth 50 për qind e popullatës në Tetovë tashmë ka marrë dozën e dytë të vaksinës.

“Ne jemi të kënaqur me vaksinimin në Tetovë sepse kemi arritur që të vaksinojmë me dy doza 53 për qind të popullatës në rajonin e komunës së Tetovës. Kemi interesim të shtuar edhe tek mosha mbi 12 vjeçare për të marrë vaksinën. Prandaj kohëve të fundit kemi më pak radhë para pikave të vaksinimit ngase pjesa më e madhe e qytetarëve janë vaksinuar. Kjo për shkak se një pjesë e qytetarëve jetojnë jashtë shtetit prandaj ata që qëndrojnë këtu pjesa më e madhe e kanë kryer këtë proces të nevojshëm për mbrojtje nga virusi Covid 19”, tha Borisllav Jorgaqieski. Në Tetovë dozën e parë dhe të dytë qytetarët mund ta marrin në pikën e vaksinimit në qendrën për kulturë në Tetovë dhe tek muzeu i Tetovës (ish shtëpia e armatës).

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 2 Nëntor, 2021 09:48