Gjithçka që dihet për sulmuesin që mbyti një polic në Kapitol të Amerikës

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 3 Prill, 2021 09:45

Gjithçka që dihet për sulmuesin që mbyti një polic në Kapitol të Amerikës

Disa javë para se ta kryejë sulmin, Green ka shkruar nëpër rrjetet sociale se e ka humbur punën e tij dhe se ishte sëmurë për shkak se ai besonte se Qeveria Amerikane po përpiqej që t’ia “kontrollojë mendjen”.

Të premten një person me makinën e tij ka goditur dy oficerë të Policisë që ishin duke punuar brenda Kapitolit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe si pasojë e lëndimeve të rënda, njëri nga ta ka ndërruar jetë.

Sipas burimeve nga organet e zbatimit të ligjit, emri i të dyshuarit është Noah Green, shkruan CNN, transmeton Klan Kosova.

Disa javë para se ta kryejë sulmin, Green ka shkruar nëpër rrjetet sociale se e ka humbur punën e tij dhe se ishte sëmurë për shkak se ai besonte se Qeveria Amerikane po përpiqej që t’ia “kontrollojë mendjen”.

Dy orë para se të qëllohej për vdekje nga autoritetet, ai kishte postuar një numër videosh në një llogari të Instagramit duke përfshirë edhe atë të një udhëheqësi të Kombit Islamik, Louis Farrakhan.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është armiku numër 1 i njerëzve me ngjyrë!”, ishte mbishkrimi që Green kishte vendosur mbi një video.

Në një postim tjetër në Instagram, ai kishte thënë se besonte që Farrakhan e kishte shpëtuar atë “pas mundimeve të tmerrshme që kam vuajtur me sa duket nga CIA dhe FBI”.

Duke iu përgjigjur një komenti në këtë postim, Green kishte shtuar: “Mua më kanë hyrë në shtëpi, më është helmuar ushqimi dhe janë kryer sulme operacionale të paautorizuara mbi mua në spital”.

Green, 25 vjeç, ka diplomuar në vitin 2019 në fushën e financave në universitetin Christopher Newport të Virginias.

Ai kishte treguar se e ka lënë punën për shkak të mundimeve që i janë bërë dhe se tani është në kërkim të një udhëtimi shpirtëror.

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 3 Prill, 2021 09:45