Dullovi: Enver Idriz, sot e sa vite refuzohet nga shteti për shtetësi

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 26 Mars, 2021 16:00

Dullovi: Enver Idriz, sot e sa vite refuzohet nga shteti për shtetësi

Maqedonia e Veriut, personave pa shtetësi, ua mohon të drejtën njerëzore dhe qytetare dhe pos kësaj, këta persona trajtohen si të huaj edhe pse janë të lindur e të rritur po në këtë vend. Kështu ka thënë aktivistja Mersiha Smajloviq në debatin e sotëm të Institutit për Politika Publike “Arbën Xhaferi, me temë “E drejta e shtetësisë dhe pa-shtetësia në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.

“Fillimisht duhet theksuar se personave që nuk kanë shtetësi u prihet e drejta e tyre njerëzore dhe qytetare, e cila u garantohet me Kushtetutë si dhe me konventat për të drejtat e njeriut. Po këta persona nga shteti paraqiten si të rrezikshëm për vendin edhe pse faktet dhe argumentet nga Ministria e Punëve të Brendshme mungojnë si çdoherë. Unë di shumë raste dhe familje pavarësisht përkatësisë fetare apo etnike, prej të cilëve gjitha familja ka nënshtetësi, ndërkaq fëmija i vogël jo… Kjo është vërtet e pakuptueshme”, tha Smailoviq.

Edhe ish-deputeti nga minoritetet, Rubin Zemon, tha se personat e shpallur nga vet shteti si aparteid, duhet të kenë të drejtën për shtetësi – aq më tepër që faktet dhe argumentet janë të hapura dhe të njohur për sa i përket dokumentacioneve të personave në fjalë. “Natyrisht që qytetarët me status aparteid ose pa shtetësi janë të papërfillur nga ana e shtetit, ndërkaq kjo temë është diskutuar edhe në kohën kur unë kam qenë i përzgjedhur i popullit si deputet. Ajo që unë kam sugjeruar, ka qenë fakti që duhej të respektohej Konventa ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e ratifikuar në vitin 1996. Por, natyrisht, pse jo të mos ketë edhe debat të hapur dhe të lirë në Parlament që kjo çështje njëherë e përgjithmonë të marr epilog përfundimtar”, deklaroi Zemon.

Ndërkohë, drejtori i gazetës së përditshme KOHA, Lirim Dullovi, në këtë debat shpalosi disa argumente para panelistëve, ndërsa në fjalimin e tij përmendi paradoksin që shteti po bën ndaj personave me pa shtetësi, konkretisht rastin e ish-kampionit botërorë në karate, Enver Idrizi, si dhe të vëllezërve të tij që janë pjesë e diasporës.

“Në këtë vend më shumë kanë të drejta kafshët sesa njerëzit. Unë do të dua t’i përmend dy raste faktike për sa i përket temës së diskutimit. Bëhet fjalë për sportistin botëror Enver Idrizi, emër i të cilit ka thyer rekordet botërore në karate e që me emrin e tij sot janë të emëruara disa rrugë, dy salla sporti dhe po ky njeri – sot e sa vite refuzohet nga shteti për shtetësi, edhe pse i lindur dhe i rritur këtu, përsëri zgjidhje konkrete nuk ka. Fakti tjetër është i vëllezërve të mi, të cilët kanë lindur, janë rritur, janë arsimuar po në këtë vend dhe përsëri zgjidhje nga ana shtetit nuk ka. Janë detyruar për tridhjetë vite të presin jashtë shtetit, duke mos marrë pjesë as edhe në ceremoninë e funeralit të prindërve të tyre vetëm pse nuk kanë pasur një dokument që ndoshta do të duhej të u jepte vend i tyre amë. Ndërkaq po këta persona nga shteti konsiderohen si të rrezikshëm të cilët cenojnë integritetin e vendit, ky është paradoks i pakuptimtë”, tha ai. Dullovi gjithashtu kritikoi të gjitha partitë shqiptare që deri më tani nuk kanë mundur të gjejnë një zgjidhje konkrete për sa i tangon problemit me shtetësinë. (koha.mk)

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 26 Mars, 2021 16:00