Dita-D në skenën politike në Maqedoninë e Veriut

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 8 Nëntor, 2021 10:08

Dita-D në skenën politike në Maqedoninë e Veriut

Java që filloi pritet të jetë përplotë zhvillime politike në vendin tonë. Sot ndodhemi në Ditën-D. D-Day ose Dita-D e njohur në anglisht si ditë intensive me operacione ushtarake, në vendin tonë pritet të jetë dita e operacioneve politike, shkruan Agjencia e lajmeve Flaka.

Pikërisht sot vijojnë orët e fundit të ultimatumit nga kreu i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickoski drejtuar kryeministrit Zoran Zaev.

Opozita më së voni deri në ora 14:30 do të presë që kryeministri Zoran Zaev të deponojë dorëheqjen e paralajmërua në Kuvend, nëse kjo nuk ndodh, opozita paralajmëroi se në Kuvend do të parashtrohet nismë për votimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë.

“Është e hapur dera për secilin që mendon se kjo Qeveri e Zaevit nuk është e mirë. Secili që e mbështet këtë Qeveri, normalisht se nuk do të jetë pjesë e deputetëve, të cilët do ta votojnë mocionin. Këtu nuk ka parti politike, por bëhet fjalë për deputetë. Gjithsej 61 kanë ndaluar prapa nismës. U bëj thirrje edhe të tjerëve që të bashkëngjiten”, theksoi lideri i VMRO-DPMNE-së, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve.

Sipas tij, pas deponimit të nismës, procedura do të jetë në duart e kryetarit të Kuvendit, i cili duhet t’i respektojë procedurat dhe afatet.

Nga LSDM-ja dje vetëm përmes një kumtese shprehën skepticizëm për shumicën e re parlamentare të paralajmëruar.

“Ditët në vijim do të tregojnë nëse do të zgjidhet Qeveri e re anti-demokratike, anti-Prespë, anti-Nato dhe anti-BE, nëse Mickoski ka kapacitet dhe përgjegjësi. Informatat të cilat dje u paraqitën në opinion, se një pjesë e deputetëve të cilët janë nënshkruar, janë keqpërdorur, tregon për çfarë “parime” bëhet fjalë. Me partnerë të cilët janë kundër NATO-s, të cilët janë kundër Marrëveshjes së Prespës, të cilët janë kundër konceptit një shoqëri për të gjithë, kundër anëtarësisë në BE, është e qartë agjenda e Mickoskit. Nuk ka këtu kurrfarë ide politike, kurefarë vlera, nuk ka parime politike, platformë, Mickoski ka vetëm dëshirë për pushtet”, u theksua në kumtesën e LSDM.

Sot, Kryeministri Zoran Zaev pritet ta thotë fjalën e fundit. Pas disa ditëve shkëputje nga opinioni publik, Zaev pritet të shfaqet në opinion. Flaka mëson që vendimi i Zaevit nuk do të jetë konform pritshmërive të VMRO-DPMNE. Jo zyrtarisht, Zaev ka nën kontrollë shumicën parlamentare me një numër deputetësh mbi 63 por jo më shumë se 66. E gjitha pritet të konfirmohet sot. Flaka

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 8 Nëntor, 2021 10:08