Ciceronët turistikë nuk janë përfshirë në pakon e pestë ekonomie

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 27 Mars, 2021 20:13

Ciceronët turistikë nuk janë përfshirë në pakon e pestë ekonomie

Të përfshihen në pakon e pestë të masave ekonomike, të kenë protokolle për punë, të jenë prioritet për vaksinim, të rregullohet marrëdhënia e punës, janë disa nga kërkesat e anëtarëve të Asociacionit të Maqedonisë të Ciceronëve Turistikë dhe Shoqëruesve për Ministrinë e Ekonomisë.

“Kërkesat tona ishin të kyçemi në pakon e pestë masash, por edhe në pakot e ardhshme në qoftë se Qeveria vendos në periudhën në vijim. Kërkuam përgjigje – mbi çfarë kriteresh jemi përjashtuar nga pakon e pestë? Nga Ministria kompetente kërkuam të rregullohet statusi i ciceronëve turistikë, sigurimi shëndetësor dhe pensional, respektivisht marrëdhënia pune”, tha Elvir Sadikoviq – Nënkryetar i AMCTSH.

Janë takuar me përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë, me koordinatorët e grupeve parlamentare me qëllim që çështja e tyre të hyjë në Kuvend. Presin të ndërmerren masa që të mos “shuhet” tërësisht profesioni i tyre.

“Çdo grup i cili vjen dhe qëndron në vend, qoftë i organizuar nga agjencitë tona turistike ose nga tur-operatorët e huaj, ne jemi të parët që vendosim kontakt me ta. Kështu që, përshtypjen e parë për vendin tonë, për pasurinë historike dha natyrore të vendit, e marrin nga ne”, shtoi Sadikoviq.

Të jesh ciceron turistik është një profesion mjaft specifik, pasi ndërtohet ndër vite dhe është nga interesi publik për vendin, shpjegon Sadikoviq. Ciceronët turistikë janë: poliglotë, ambasadorë kulturorë, duhet të kenë njohuri nga sfera e psikologjisë, gjeografisë, historisë, politikës, ekonomisë, të keni aftësi komunikimi, kurse para se gjithash duhet të dinë se si ta përcjellin rrëfimin.

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 27 Mars, 2021 20:13