By-Pass-i i Vlorës hapet në nisje të sezonit turistik

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 4 Prill, 2021 21:21

By-Pass-i i Vlorës hapet në nisje të sezonit turistik

Punimet në pjesën më kritike të By Pass-it të Vlorës në afërsi të kilometrit të 10 vazhdojnë me intensitet të lartë.

Në këtë pikë të segmentit po ndërtohet ura 4, por mungesa e një studimi të plotë gjeologjik solli vonesa dhe problematika të shumta për shkak të kavitetit dhe rrëshqitjeve të tokës që sillnin herë pas here shpellat e nëndheshme.

“Janë gjetur 25 shpella që kanë vështirësuar punimet dhe kanë stimuluar rrëshqitjet nga kaviteti. Shumica e problematikës është zgjidhur dhe vijojnë punimet.”

Pjesa tjetër e rrugës së gjatë 29 kilometra është shtruar pothuajse e gjitha me asfalt dhe po bëhet gati hedhja e shtresës së dytë. Autoritetet premtojnë se këtë sezon turistik By Pass-i Vlorës do të jetë i hapur për kalimin e automjeteve.

“Do jetë i hapur gjatë sezonit të verës, që të gjithë që kalojnë pushimet në jug të mos qëndrojnë në radhët e gjata kilometrike.”

Në total janë 5 ura që konsiderohen vepra arti, të cilat bëjnë të aksesueshme rrugën. 2 kanë përfunduar tërësisht, dhe 2 të tjera janë në proces mbarimi, ndërsa është zgjidhur dhe problemi me urën 4 në zonën e rrëshqitjeve.

By Pass-i Vlorës pritet që të shkurtojë ndjeshëm udhëtimin në jug të vendit, në kilometrin e 29, ai do të lidhet me segmentin Dukat-Orikum, i cili ka nisur ndërtimin.

E gjithë vepra kushton 35.8 milion euro. Ndërtimi i kësaj rruge nisi në 2012-n, por problemet që pati kompania Serenissima e cila u kontraktua fillimisht për ndërtimin e segmentit, bënë që autoritetet të ritenderonin dhe njëherë projektin për të rinisur punimet sërish në fund të vitit 2018.

Tv Klan

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 4 Prill, 2021 21:21