Bullgari, Kryeministri Borisov fiton zgjedhjet

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 4 Prill, 2021 21:35

Bullgari, Kryeministri Borisov fiton zgjedhjet

Kryeministri i Bullgarisë Bojko Borisov arriti fitore në zgjedhjet kombëtare të së dielës, sipas anketimeve me personat që sapo kishin votuar.

Borisov ka të ngjarë të përballet me bisedime të ndërlikuara për një qeveri koalicioni, në mënyrë që të sigurojë një mandat tjetër katër-vjeçar në vendin më të varfër anëtar të Bashkimit Evropian.

Sondazhet treguan se partia GERB e qendrës së djathtë e zotit Borisov do të jetë më e madhja në parlament. Ajo ka fituar rreth 25% të votave, krahasuar me 33.5% që fitoi katër vjet më parë.

Pas një dekade dominimi në politikën Bullgare, Borisov ka pak partnerë të natyrshëm koalicioni në një parlament të fragmentuar, ku shumica e grupeve nuk e pranojnë bashkëpunimin e drejtpërdrejtë me GERB.

Nuk përjashtohet që të zhvillohen disa javë bisedime, apo edhe zgjedhje të reja, që do të thotë se Bullgaria mund të ketë vështirësi për të marrë ndihma nga Fondi i BE-së për Rindërtimin prej 750 miliardë eurosh, i cili synon rigjallërimin e ekonomive të të gjithë bllokut pas pandemisë së koronavirusit.

61-vjeçari Borisov, ish-zjarrfikës dhe truproje, u përpoq gjatë fushatës të reklamonte sukseset e tij në modernizimin e infrastrukturës së vjetëruar të Bullgarisë.

Fushata e tij e pabujshme erdhi pas tubimeve masive anti-korrupsion të verës së kaluar, të cilat e dëmtuan rëndë popullaritetin e tij.

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 4 Prill, 2021 21:35