Atletico Madridi mposhtet nga Sevilla

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 4 Prill, 2021 22:06

Atletico Madridi mposhtet nga Sevilla

Atletico Madridi është mposhtur nga Sevilla të dielën, duke e bërë një tjetër hap negativ në luftë për titull, që ia mundëson Barcelonës t’i afrohet në vetëm një pikë të hënën në mbrëmje.

Marcos Acuna e shënoi atë që ishte goli i vetëm dhe i fitores për Sevillën në një ndeshje tejet energjike në Ramon Sanchez Pizjuan. Për më tepër, ky ishte goli i parë i mbrojtësit argjentinas për Sevillën.

Sevilla e kishte lëshuar një mundësi ideale për të kaluar në epërsi herët në ndeshje, pasi penalltinë e Lucas Ocampos e priti portieri Jan Oblak.

Lideri ishte i kënaqur të tërhiqej në mbrojte dhe të luante me kundërsulme por mbrojtja e tij u thye njëzet minuta para fundit, kur Acuna shënoi me kokë nga afërsia pas një harkimi nga Jesus Navas.

Atletico i pati dy mundësi të arta për ta shmangur humbjen deri në fund, së pari në rreth një çerek lojë para fundit, kur Mario Hermoso gjuajti lart mbi portë edhe pse i papenguar në zonën e penalltisë.

Mbase rasti më i mirë i vizitorëve ishte në minutën e 90-të, kur portieri Bono bëri një pritje prej heroi duke e ngalur goditjen e Angel Correa nga afërsia.

Kjo ishte ndeshja e tretë në pestë të fundit që Atletico lëshon pikë, pasi kishte barazuar me Real Madridin dhe Getafen paraprakisht, duke i dhënë mundësi Barcelonës dhe Real Madridit të futen seriozisht në garë për titull.

Skuadra e Diego Simeones vijon të jetë lidere me 66 pikë pas 29 ndeshjeve, por tani tri më pak se Real Madridi në vendin e dytë dhe katër më pak se Barcelona në vendin e tretë.

Barcelona do t’i afrohet në vetëm një pikë nëse fiton ndaj Real Valladolidit nesër në mbrëmje në duelin e fundit të kësaj jave në Camp Nou.

Për Sevillën, kjo fitore ishte e madhe, jo sepse iu bëri nder Barçës e Realit, por sepse ia blindon asaj vendin e katërt në La Liga nëntë ndeshje para fundit të sezonit.

Sevilla grumbullon tani 58 pikë në vendin e katërt, 12 më shumë se Real Betisi në vendin e pestë.

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 4 Prill, 2021 22:06