ASH-AAA reagon për ndryshimet në Ligjin për Regjistrim

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 3 Prill, 2021 13:49

ASH-AAA reagon për ndryshimet në Ligjin për Regjistrim

Koalicioni opozitar shqiptar, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë dhënë variantin e tyre, për procesin e miratimit të Ligjit për shtyrjen e regjistrimit.

Thonë se, edhe pse Organizata e Kombeve të Bashkuara rekomandonin mosrealizimin e këtyre proceseve në kohë pandemie, sërish shumica parlamentare vendosi të fillojë procesin e regjistrimit.

“Por, kur ne e pamë se kjo shumicë nuk dëgjonte për argumente shëndetësore, ndërsa votat tona nuk mund ta ndryshonin atë vendim, ne iu qasëm çështjes se çfarë mund të përfitohet nga ky proces. Prandaj edhe e mbështetëm ligjin, të cilin shumica parlamentare e sabotoi dhe prandaj pas asaj bëmë gjithë atë fushatë vendore dhe më gjerë që ta mobilizojmë mërgatën tonë të regjistrohet, ndërsa brenda i angazhuam strukturat tona që këtë detyrë ta realizojmë me përgjegjësinë më të lartë. E pastaj, kur doli puna se shqiptarët vetëm në mërgatë e kaluan 200-mijëshin e të regjistruarve, ndërsa pala maqedonase e bojkotonte regjistrimin, dy liderët e partive më të mëdha maqedonase, ai i LSDM-së – Zaev, dhe ai i VMRO-DPMNE-së –Mickovski, u takuan kokë më kokë në një takim monoetnik, me qëllim që ta shtyjnë regjistrimin. Andaj, duke e ditur se sa e rrezikshme është për një shtet aspirant për BE që në takime monoetnike të vendoset për çështje shtetërore dhe shteti për herë të dytë ta anulojë regjistrimin e popullsisë, ndërkohë që nuk ka pasur regjistrim në 20 vjetët e fundit, ne e penguam anulimin e tij, ashtu që deri më 1 prill ata që u morën vesh nuk arritën të prodhojnë vendim parlamentar për shtyrjen e tij”, thonë mes të tjerash nga ASH-AAA, përcjell TV21.

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 3 Prill, 2021 13:49