Ahmeti priti Ambasadorin Gir: BDI është partner i Evropës

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 17 Mars, 2021 14:01

Ahmeti priti Ambasadorin Gir: BDI është partner i Evropës

Sot në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim në Tetovë, kryetari Ali Ahmeti, ka pritur në takim pune Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, z. Dejvid Gir.

Bashkëbiseduesit diskutuan rreth zhvillimeve politike në vend dhe në rajon, proceset aktuale që po zhvillohen në vendin tonë, reformat strukturore si dhe ecurinë tonë drejt hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkim Evropian.

Kryetari Ahmeti foli rreth kontestit midis vendit tonë dhe Bulgarisë në lidhje me marrëveshjen e fqinjësisë së mirë dhe zbatimit të obligimeve të cilat po qëndrojnë si pengesë në rrugën tonë integruese.

z. Ahmeti vlerëson që nuk jemi larg marrëveshjes me Sofjen dhe që palët do ti respektojnë obligimet e ndërmarra, dallimet duhet të afrohen dhe të tejkalohen sa më shpejt për të filluar bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Me marrëdhënie të mira në vend dhe me fqinjët, sigurojmë të ardhmen, stabilitetin, sigurinë dhe perspektivën tonë Evropiane, prandaj dhe nuk duhet të kursejmë përpjekje për ti tejkaluar të gjitha pengesat.

Ambasadori Gir theksoi nevojën e vijimit intenziv të reformave në vend në muajt vijues për të përmbushur standardet evropiane në vend, ndërsa kryetari Ahmeti nënvizoi patjetërsueshmerinë e reformave të cilët bëhen për të mirën e qytetarëve tanë.

“Ne jemi partnerë tuaj z Ambasador,” tha z. Ahmeti. Ashtu siç kemi qenë partner i BE-së, NATO-së dhe SHBA-ve për t’i zgjidhur të gjitha çështjet, ashtu edhe do të mbesim krah për krah me juve në reformat sepse sundimi i ligjit është parakusht për të gjitha reformat.

Sundim i mirëfilltë i ligjit sigurohet nëpërmjet të verifikimit të tërësishëm të të gjithë politikanëve, gjykatësve dhe prokurorëve, pa aspak tolerancë dhe me shumë përkushtim.

Bashkëbiseduesit folën edhe për procesin e regjistrimit të popullatës dhe z. Ahmeti theksoi rëndësinë që ka regjistrimi i diasporës dhe përfundimi i suksesshëm i regjistrimit rezident, ndërsa këmbyen mendime edhe për 20 vjetorin e marrëveshjes së Ohrit si dhe zgjedhjet e ardhshme lokale në tetor të këtij viti.

z. Ahmeti përsëriti që të gjitha sukseset tona janë të përbashkëta me komunitetin ndërkombëtarë, duke nisur nga Marrëveshja e Ohrit, standardet euroatlantike, integrimin në NATO dhe bashkë do të vijojmë në drejtim të çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 17 Mars, 2021 14:01