A i doli afati idesë për “Qeveri të zgjeruar”?

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 15 Mars, 2021 20:58

A i doli afati idesë për “Qeveri të zgjeruar”?

Tema që hapi kryeministri Zoran Zaev për qeveri të zgjeruar është e përshpejtuar, për konsumim një a dyditor, vlerëson analisti Imer Selmani. Idenë e quan folklor që partitë e bëjnë mes vete, ndërsa shton se Qeveria e zgjeruar as nuk është e nevojshme, e as e arsyeshme. Ofertën e Zaevit e sheh gjithashtu si parakongresiale, për të nxitur reformatorët brenda VMRO-DPMNE-së që të kërkojnë dorëheqje të kreut të tyre Hristijan Mickoski.

 “Delegatët, shumica e delegatëve të kongresit të kaluar, tani do të bëjnë një kongres të ri ku do të kërkojnë llogari nga Mickoski për humbjet e deritanishme elektorale, disa humbje me radhë dhe politikat të cilat nuk e çojnë VMRO-në përpara, që është fakt. Mendoj se këtu është më tepër oferta e LSDM-së, që urdhëroni si VMRO reformohuni, ndërrojeni Mickoskin, silleni një lider të ri dhe pastaj ulemi dhe bëjmë një qeveri të zgjeruar”, tha Imer Selmani – analist.

Analisti Petar Arsovski ofertën e interpreton si përpjekje për zgjerim të shumicës. Kështu do të debllokohej Kuvendi, si dhe do të arrihej kalimi i reformave sistemore, siç thotë, në prag të nisjes së negociatave me Bashkimin Evropian. Zaev për momentin ka mjaftueshëm deputetë për të qeverisur, por jo edhe për të bërë reformat sistemore, shton ai.

 “Unë mendoj se në këtë moment është nxitur nga shpresa se Maqedonia do të ketë sukses që në mes të këtij viti të mbajë konferencën e parë ndërqeveritare, bashkë me Shqipërinë. Tashmë Varhejl përmend se Shqipëria është e gatshme, dhe ja ku është rasti që të dyja vendet së bashku të hyjnë në procesin e bisedimeve dhe kur kjo të ndodhë, Maqedonia do të duhet t’i kompensojë dy vitet e humbura, një me Francën e një me Bullgarinë. Kjo është e mundshme vetëm nëse në Kuvend krijohet shumicë më e gjerë, që të mundet që ligjet sistemore, të domosdoshme për procesin e negociatave, së sillen pa bllokada”, theksoi analisti Petar Arsovski.

Pikërisht për këtë, analisti Imer Selmani, kërkon që shumica parlamentare të krijojë urë më të mirë bashkëpunimi me opozitën në Kuvend, pa qenë nevoja për Qeveri të zgjeruar, të cilat vendit i kanë vlejtur vetëm për të dalë nga kriza të mëdha, si ajo e vitit 2001 dhe 2015, po tani nuk kemi krizë politike shton ai, andaj nuk duhen trembur qytetarët me ide për qeveri të tilla.

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 15 Mars, 2021 20:58