A do të bëhet Çashka e unitetit, komunë me Kryetar shqiptar?

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 21 Tetor, 2021 10:12

A do të bëhet Çashka e unitetit, komunë me Kryetar shqiptar?

Koment nga Redaksia Flaka

Zgjedhjet e 17 tetorit në publik sollën disa karakteristika, por e favorshme pa dyshim që ishte koalicioni mes partive shqiptare: BDI, ASH-Alternativa në komunën e Çashkës. Ishte ky një moment që u përshëndet nga të gjithë shqiptarët. Dy opnentët kryesor të politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut gjetën pikën e përbashkët të bashkëpunimit. Çashka është një vendbanim në pjesën qendrore të Maqedonisë së Veriut. Sipas regjistrimit të popullsisë të mbajtur më 2002 në Komunën e Çashkës jetonin 7.673 banorë. Prej tyre maqedonas u deklaruan 4.395, shqiptarë 2.703, turq 391, të tjerë 184.

Rezultatet nga zgjedhjet e 17 tetorit janë me sa vijojnë:

Suat Shaqiri 1.436 vota – BDI dhe ASH-Alternativa
Zoran Zdraevski 1.088 vota – VMRO-DPMNE
Goran Stojanovski 1.688 vota – LSDM

Në zgjedhjet e 31 tetorit në balotazhë do të jenë kandidati i koalicionit BDI-ASH dhe Alternativa Suat Shaqiri dhe ai i LSDM, Goran Stojanovski.

A do të jetë e mundur që për herë të parë Çashka të drejtohet nga një Kryetar shqiptar, kjo pritet të shihet të dielën e 31 tetorit në mbrëmje.

Statistikat nga më tepër burime, e lejnë të hapur garën që një shqiptar të jetë në krye të komunës.

Për Këshillin komunal votat janë me sa vijon:

Koalicioni BDI-ASH dhe Alternativa: 1.399 vota
VMRO-DPMNE : 1.115 vota
LSDM: 1.250 vota
VMRO-PP: 109 vota
Iniciativa qytetare Muhamed Ahmedov: 300 vota.

Bazuar në lëvizjet e popullsisë gjatë viteve 2002-2019 sipas të dhënave vjetore të publikuara nga Agjencia e Statistikave e Maqedonisë së Veriut, në fund të vitit 2019 Komuna e Çashkës kishte 8,227 banorë, kurse struktura etnike e popullsisë ishte si vijon:

Shqiptarë: 48.1%
Maqedonas: 44.2%
Turqë: 5.2%
Të tjerë: 2.5%

Një statistikë tjetër dalluese është e dhëna që në Komunën e Çashkës gjatë vitit 2018/2019, mësimin fillor e kanë vijuar 1,104 nxënës, prej të cilëve 773 ishin shqiptarë, 238 maqedonas, 85 turq dhe 8 të tjerë.

Bazuar në këto të dhëna, pritej që kandidati shqiptar të kishte po aq vota se dy kandidatët e tjerë bashkë. Por a do të ndodh kjo në rrethin e dytë ku në garë është kandidati i BDI dhe ASH – Alternativa dhe kandidatin e LSDM, pritet të shihet.

Çashka e së kaluarës dhe të tashmes!

Vendbanimi më i madh në Komunën e Çashkës është Jabollçishti i Epërm që vlerësohet se në vitin 2020 kishte mbi 2 mijë banorë. Si pasojë e politikave të kaluara diskriminuese, vendbanimet më të mëdha të banuara me shqiptarë në Komunën e Çashkës kanë qenë të lëna në mëshirën e fatit dhe pa investime nga ana e shtetit. Ky diskriminim ka vazhduar deri pas viteve 2000. Me Ligjin e ri për ndarje territoriale të vitit 2004, Komuna e Çashkës merr shtrirjen e sotme gjeografike duke përfshirë një pjesë të fshatrave shqiptare të rrethinës së Velesit.

Pas formimit të Komunës, mbëshetur edhe në përbërjen etnike të popullsisë, krijohen kushte që përfaqësuesit shqiptar të kenë më shumë ndikim. Viteve të fundit vërehen më shumë angazhime dhe investime infrastrukturore. Në vitin 2012 fshatrat Katund i Epërm dhe Katund i Poshtëm u lidhën për herë të parë me rrugë të asfaltuar.

Përgjithësisht, në komunë ka lidhshmëri të mirë rrugore. Me komunën e Velesit komuna lidhet përmes rrugës regjionale. Në territorin e saj kalon edhe hekurudha e trenit Shkup-Manastir.

Gjithashtu parashihet kyçja në rrugën magjistrale Veles-Prilep-Manastir, me çfarë do të përmirësohet lidhshmëria territoriale me pjesët tjera të shtetit.

Në komunë nuk ka rrjet të mirë të institucioneve shëndetësore. Ka vetëm 6 ambulanca në vendbanimet: Çashkë, Melnicë, Izvor, Bogomillë, Katund të Epërm dhe Katund të Poshtëm, si dhe dy ordinanca stomatologjike në Çashkë dhe Katund të Epërm.

Në fshatin Jasenovë punon një klinikë e specializuar për sëmundje të mushkërive të cilën popullata në vendbanimet në rrethinë e shfrytëzon si ambulancë.

Qytetarët e Komunës së Çashkës furnizohen vetëm pjesërisht me ujë të pishëm përmes sistemit për ujësjellje të ndërtuar me vetkontribut lokal dhe punë vullnetare, puseve vetanake dhe çeshmeve të fshatit. Përmes rrjetit ujësjellës, me ujë të pishëm furnizohen 22 vendbanime, ndërsa 20 vendbanimet e tjera përmes burimeve alternative vetanake.
Komuna e Çashkës shtrihet në pjesën qendrore të vendit. Mbulon një sipërfaqe prej 819,45 km2 dhe është një nga tre komunat më të mëdha në Maqedoninë e Veriut. Është një komunë rurale me pozitë të mirë gjeografike. Komuna ka një tokë të punueshme gjithsej 476 km2 dhe 48.97 km2 kullosa.

Komunat fqinje në kufi me komunën janë: në lindje Velesi dhe Gradsko, në veri Zelenikova dhe Studeniçani, në perëndim Makedonski Brod, në jug-perëndim Dolneni, në jug Prilepi dhe në jug-lindje Kavadarci dhe Rosomani.
Komuna e Çashkës përfshinë 42 vendbanime. Dendësia e popullsisë është 10 banorë për km2.

Komuna ka një pozitë të mirë gjeografike. Ka zona të bukura dhe tërheqëse të maleve Jakupicë, Dauticë dhe Babunë nga perëndimi, Klepë nga lindja, Karaxhicë dhe Goleshnicë nga veri-perëndimi.

Në kufirin perëndimor të komunës gjendet maja më e lartë e Jakupicës, Maja e Selanikut (2,540 m). Lumenjtë kryesorë janë Babuna dhe Topolka.

Gjatë rrjedhës së këtyre lumenjve ekziston një fushë aluvionale e formuar si rezultat i sedimenteve të lumenjve e cila është shumë pjellore. Në territorin e komunës është ndërtuar hidrocentrali “Lisiçe”.

Karakteristikat klimatike të komunës janë mjaft të ndryshme. Malet e larta janë të mbuluara me dëborë gjatë gjithë vitit, ndërsa në pjesën e rrafshët në periudhën e verës ka një temperaturë të lartë të padurueshme. Klima është kontinentale. Reshjet e shiut janë të vogla kryesisht në ditët e vjeshtës dhe dimrit, dhe verat janë të nxehta dhe të thata. Erërat vijnë nga të gjitha drejtimet, por mbizotërojnë nga veriu dhe veriperëndimi.

Blegtoria dhe bujqësia janë degët kryesore të prodhimit. Viset malore janë ideale për mbarështimin e bagëtive, ku ka një numër të madh të mbarështuesve të regjistruar.

Shumë banorë janë të angazhuar në prodhimin e duhanit, si dhe prodhimin e elbit, misrit dhe orizit, i cili është rritur përgjatë lumit Topolka. Në zonën e fshatrave Katund i Epërm, Katund i Poshtëm, Drenovë dhe Papradishtë kultivohet patatja e njohur malore. Vranoci i Epërm është i njohur për gështenjat, kurse në Gollozincë dhe Nezhilovë rritet trofta.
Shqiptarët e rrethinës së Velesit kanë qenë të diskriminuar në të gjitha poret e jetës. Një nga fushat ku padrejtësia ka qenë akoma më shumë e theksuar, ishte arsimimi në gjuhën shqipe. Gjenerata të tëra janë shkolluar vetëm në gjuhën maqedonase. Strukturat e pushtetit në Maqedoni dhe në Komunën e dikurshme të Titov Velesit, nuk përfillnin kërkesat për shkollim në gjuhën shqipe. Kërkesat eskaluan kur prindërit shqiptarë u zotuan se nxënësit shqiptarë do të bojkotojnë mësimin në gjuhën maqedonase në fillim të vitit shkollor 1991/92.

Pushteti fillimisht u përpoq të ofrojë zgjidhje parciale madje edhe duke ofruar që fëmijët shqiptar të vendosen në një internat në Veles, me preteksin se nuk ka kushte që mësimi të zhvillohej në fshatra. Pas insistimit të banorëve, me vendim të Kuvendit të Maqedonisë me datë 3 Tetor 1991, mësimi në gjuhën shqipe u lejua për herë të parë në Katund të Epërm, Katund të Poshtëm dhe Vranoc të Epërm, kurse mësimi në këto fshatra atëbotë u organizua në formën e paraleleve të ndara të shkollës qëndrore në Veles.

Sa i përket arsimit të mesëm, në Komunën e Çashkës nuk ekziston asnjë shkollë e mesme. Arsimi i mesëm më i afërt mund të vijohet qytetin e Velesit, ku që nga viti shkollor 2008/2009 organizohet edhe mësimi në gjuhën shqipe.

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 21 Tetor, 2021 10:12