75 vjeçarja ende pa shtetësi, shkaki se është e rrezikshme për shtetin!

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 27 Mars, 2021 20:48

75 vjeçarja ende pa shtetësi, shkaki se është e rrezikshme për shtetin!

As në pleqni nuk janë rehat. Ramadani e Xhevria janë të martuar, por mbiemrin e burrit Xhevria nuk mund ta marrë për shkak se shteti nuk po i jep shtetësi. Ka 11 vjet që Xhevria kërkon shtetësi të Maqedonisë, por përgjigja që ka marrë nga shteti është se paraqet rrezik për shtetin.

Xhevrie: “Për shtetin e pa dëshiruar”. Ramadani: “75 vjet e rrezikshme për shtetin”. Ramadani: Çfarë rreziku i bëjmë ne shtetit? Para Kuvendit kishin ardhur edhe dhjetëra persona tjerë të cilëve me vite u refuzohet kërkesa për shtetësi. Afet Kaloshi, ka lindur në Maqedoni. Shtetësi nuk ka.

“Jam i lindur këtu, kur ma japin certifikatën e lindjes, më shkruan Serbia dhe Mali i Zi. Jam i lindur në Shkup në Komunën e Çairit. Jemi 6 fëmijë, vëllai i madh e ka shtetësinë, motrat e kanë shtetësinë, nëna ime është nga Novi Pazari ka shtetësi, unë jam i lindur këtu nuk kam shtetësi”, tha Afet Kaloshi.

“Jam e martuar prej 30 vjetësh këtu, s’kam shtetësi, 4 herë kam ardhur më kanë refuzuar për shkak të gjuhës. Kontrollet te mjeku i bëj privat, 1 mijë 2 mijë denarë të gjitha me para. Tani udhëtoj me letërnjoftim të Kosovës këtu nuk kam asnjë dokument”. Bashkë me personat pa shtetësi para Kuvendit ishin edhe dy deputetët e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës. Skender Rexhepi dhe Ilire Dauti. Skender Rexhepi tha që shumë shpejt halli i këtyre njerëzve do të marrë fund.

“Kam një lajm të mirë edhe për të gjithë ata që kanë problem me shtetësinë se presioni ynë arriti suksesin e vet dhe ditën e merkurë në ora 10 do të takohen dy kryetarët me kryeministrin dhe përfaqësues të Qeverisë bashkë me dy koordinatorët e koalicionit tonë dhe atyre qeveritarë me qëllim që ta gjejmë zgjidhjen për ligjin për shtetësi”, deklaroi Skender Rexhepi nga koalicioni ASH-AAA.

Që kur opozitarja VMRO-DPMNE bllokoi ligjin e propozuar nga ASH-AAA për shtetësi, opozita shqiptare me mijëra amendamente bllokoi çdo propozim-ligj të dorëzuar në Kuvend nga pushteti. Ditën e djeshme kryeministri Zaev për TV21 tha që shumë shpejt do të takohet edhe me opozitën shqiptare për të gjetur një zgjidhje për ligjin për shtetësi.

Redaksia LOBI
Nga Redaksia LOBI 27 Mars, 2021 20:48